Ahmeti prezanton projektet e Prishtinës për vitin 2020

29 shtator 2019 | 17:18

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në konferencë për medie ka paraqitur projektet që janë pjesë e buxhetit për vitin 2020, i cili është miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Ai ka thënë se është hera e parë që nga viti 2014 që buxheti i Komunës së Prishtinës të miratohet unanimisht me asnjë votë kundër dhe me përkrahje nga të gjitha subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Këtë vit Prishtina për herë të parë ka një buxhet prej 91 milionë eurove, që është rezultat i kalimit të Ligjit për kryeqytetin dhe është buxhet që do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në pjesën urbane dhe rurale të kryeqytetit. Kjo në të njëjtën kohë e bën Komunën e Prishtinës një prej organizatave më të mëdha buxhetore dhe mundëson realizimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore të planifikuara”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka bërë me dije se rruga “Isa Kastrati”, që lidh Prishtinën me “Mati 1”, do të rindërtohet në tërësi. “Projekti i tunelit në përfundim të rrugës ‘Agim Ramadani’ do ta mundësojë vazhdimin e Sheshit ‘Ibrahim Rugova’ dhe ta bëjë lidhjen me pjesën e vjetër të qytetit, duke e zgjeruar pjesën pedonale të qytetit. Në atë pjesë do të realizohet edhe projekti i tregut të gjelbër dhe restaurimi i fasadave të shtëpive dhe objekteve, pjesë e trashëgimisë kulturore e që do të ndihmojë revitalizimin dhe integrimin e kësaj pjese të qytetit”, ka deklaruar Ahmeti. Ai ka thënë se në fund të vjeshtës do të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor me 700 vendparkime dhe, sipas tij, me këtë rast Bulevardi “Xhorxh Bush” do të mbyllet për trafik, përveç një korsie për autobusë, siç e parasheh Plani i qëndrueshëm i mobilitetit.

“Buxheti parashesh edhe investimin në Pallatin e Rinisë për tri institucione të rëndësishme për rininë e kryeqytetit. Shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’, ‘Bonevet’ dhe projekti i përbashkët me Fondacionin ‘Sunny Hill’ do të funksionojnë në aneksin e Pallatit, hapësirat ku ka qenë Shkolla Amerikane.

Në buxhet janë të ndara 1.5 milion euro për sallën koncertale në Prishtinë dhe për këtë projekt janë duke u zhvilluar konsultimet e fundit me Komisionin Evropian dhe komunitetin e arkitektëve dhe artistëve.

“Unaza e qytetit është, mbase, projekti më i madh infrastrukturor me një kosto mbi 100 milionë euro dhe për këtë është siguruar financimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Momentalisht në procedura tenderuese është konsulenca e cila deri në qershor të 2020-s do ta përgatisë dizajnin përfundimtar të kësaj unaze”, është shprehur Ahmeti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka mbajtur një tubim me…