Ahmeti: Qendra e Mjekësisë Familjare në Veternik do të finalizohet deri në fund të këtij viti

14 korrik 2021 | 17:01

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Bujar Gashi, kanë vizituar të mërkurën vendpunishten në rrugën “Kujtim Laro” të lagjes Veternik, ku po ndërtohet qendra e parë e Mjekësisë Familjare për këtë zonë.

Shpend Ahmeti me rastin e vizitës në vendpunishte ka bërë me dije se kjo Qendër e Mjekësisë Familjare do të ofrojë të gjitha shërbimet sikurse qendrat e tjera në kryeqytet dhe pritet të finalizohet deri në fund të këtij viti, duke zgjeruar rrjetin e qendrave që ofrojnë shërbime publike shëndetësore në Prishtinë.

“Me këtë qendër zgjerohet rrjeti i shërbimeve shëndetësore publike në Prishtinën e re. Qendra pritet të përfundojë deri në fund të vitit si dhe do t’i mbulojë të gjitha shërbimet që përfshinë mjekësia familjare përfshirë laboratorin dhe biokiminë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka theksuar se investimet në shëndetësinë publike gjatë dy mandateve të qeverisjes kanë reformuar sistemin dhe garantuar qasje më të madhe të qytetarëve të Prishtinës në shërbime publike shëndetësore, që janë esenciale për qytetarët.

“Jemi konkurrues edhe me sektorin privat. Ofrojmë të gjitha shërbimet dhe jemi komuna e vetme që ofrojmë një gamë të testeve edhe laboratorike, shumë shpesh duke mbuluar edhe hapësirat që kalon Ministria e Shëndetësisë. Së fundmi e kemi pasur edhe mungesën e insulinës e cila është pjesë e listës së barnave esenciale dhe që është jetike meqë diabeti nuk pret dhe është dashur që t’i prokurojmë vetë. Po e them se jam i lumtur sepse shëndetësia publike dhe shëndeti publik është kryesor dhe ne kemi investuar në këtë drejtim. Njerëzit që kanë para kërkojnë shërbime në sektorin privat dhe i marrin shërbimet, por ajo është pjesa më e vogël e popullatës, ndërsa pjesa më e madhe e popullatës bazohet në shëndetësi publike. Përderisa në mandatin e parë kemi punuar më tepër në infrastrukturën fizike, unë mendoj që testi kryesor për ne ka qenë pandemia kur e kemi parë që në shumicën e rasteve jo që nuk kemi dështuar, por po e them u kemi ofruar edhe shërbime të tjera qoftë me infuzione në laborator që njerëzit me Covid mos të shkojnë në QKUK, e deri te testet serologjike pa pagesë”, ka thënë Ahmeti.

Qendra e Mjekësisë Familjare në zonën perëndimore në lagjen Veternik është projekt i financuar nga Komuna e Prishtinës dhe ka qenë i gatshëm që nga viti 2019.

Projekti arrin vlerën e 463 318 eurove. Kjo qendër do t’u shërbejë rreth 20 mijë banorëve të lagjes Veternik, me ç’rast do të lehtësohet qasja e tyre në shërbimet shëndetësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gara e radhës së botërorit të Formula 1 do të…