Akil Gjakova kualifikohet në çerekfinale të Grand Slamit në Abu Dhabi
30 tetor 2026
| 12:48
Xhudisti Akil Gjakova ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Grand Slamit në Abu Dhabi, në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Gjakova ishte i lirë në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë e mposhti izraelitin Ohad Moritz, duke vazhduar garën në raundin e tretë.
Në këtë fazë, xhudisti Gjakova u përball me Makhmadbek Makhmadbekov nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndaj të cilit gjithashtu shënoi fitore, duke siguruar një vend në çerekfinale.
Në luftën për një vend në gjysmëfinale, Akil Gjakova do të përballet me xhudistin nga Azerbajxhani, Hidayat Heydarov.
Gjakova do të kërkojë të vazhdojë me fitore në këtë garë ndërkombëtare, ku triumfi në çerekfinale do t’i siguronte kalimin në gjysmëfinale dhe mundësinë për të luftuar për medalje.



