AKK-ja: Komunave iu morën mbi 55 milionë euro, rrezikohen investimet kapitale
Komunat e Kosovës po përballen me vështirësi të mëdha financiare, pasi vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti u janë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore, kryesisht që lidhen me kontratën kolektive.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë për “Ekonomia Online” se shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të dedikuara për investime kapitale, duke paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Edhe këtë vit si viteve të kaluara komunat janë duke u sfiduar jashtëzakonisht nga aspekti financiar. Edhe këtë vit deri në këto katër muaj të parë të këtij viti komunave iu kanë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore ku shumica e këtyre vendimeve kanë të bëjnë me kontratën kolektive. Nga këto 55 milionë euro shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të cilat kanë qenë të dedikuara për investime kapitale. Domethënë shumë projekte të cilat kanë qenë të parapara me buxhetet komunale nuk do të mund të zbatohen dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ketë impakt negativ në jetën e qytetarëve. Nëse qeveria gjatë rishikimit të buxhetit për këtë vit, domethënë kurdo që kjo do të kemi këtë qeveri gjatë këtij viti pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet ta ketë si prioritet zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka theksuar se AKK-ja ka tentuar ta zgjidhë çështjen përmes dialogut me nivelin qendror, por sipas tij deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.
Më tutje, Ibrahimi ka bërë me dije se mbi 26 komuna kanë ushtruar padi ndaj nivelit qendror për kthimin e mjeteve të marra nga buxhetet komunale.



