AKP-ja merr nën administrim rreth 1 mijë e 310 hektarë tokë shoqërore në Shtërpcë

08 mars 2018 | 15:46

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në vazhdën e angazhimeve dhe përkushtimit të saj për identifikimin dhe administrimin e aseteve në pronësi shoqërore, ka arritur të bëjë identifikimin e një sipërfaqe të madhe të pronave shoqërore në Komunën e Shtërpcës, ngastra këto të cilat deri më tani nuk figuronin në regjistrin e kësaj agjencie.

“Si rezultat i ngritjes së nivelit të bashkëpunimit profesional dhe ndërinstitucional, zyrtarët e AKP-së, konkretisht Zyra Rajonale e Prizrenit, në koordinim me Zyrën Kadastrale të Komunës së Shtërpcës, kanë arritur që së fundmi të identifikojnë prona shtesë të ndërmarrjes shoqërore NSH ‘Zadruga’, Shtërpcë. Pronat e identifikuara e të vendosura nën administrim të AKP-së kanë sipërfaqe prej 1,309 hektarë e 42 ari e 84 m2, janë të ndara në 133 ngastra dhe shtrihen në 5 zona Kadastrale. Aktualisht, përfshirë këtu edhe këto ngastra të posa identifikuara, prona e NSH ‘Zadruga’ arrin në total 896 ngastra me sipërfaqe prej gjithsej 5,847 hektarë 77 ari e 83m2”, është bërë me dije në komunikatën e AKP-së.

Në këtë komunikatë thuhet se ky është një progres i jashtëzakonshëm i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në identifikimin e aseteve të reja në pronësi shoqërore, objektivë kjo me prioritet të lartë në Agjenci.

“Vetëm vitin e shkuar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka identifikuar dhe ka vënë nën administrim 36 asete të reja, që më herët nuk i kishim në regjistër të Agjencisë”, është thënë në komunikatën e AKP-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të enjten në…