Pas lirimit nga detyra, ministri Flamur Sefaj jep dorëheqje

03 prill 2018 | 16:58

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, ka dhënë zyrtarisht dorëheqje nga ky post pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj për lirimin nga detyra.

Në letrën e dorëheqjes, ministri Sefaj e ka informuar kryeministrin e Kosovës në detaje lidhur me procesin e deportimit të shtetasve turq dhe përfshirjen e tij në zbatim të ligjit në atë proces.

AKR-ja përmes një komunikate për medie ka bërë me dije se Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës dhe vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën e AKI-së, institucion ky i cili sipas Kushtetutës ka vlerësuar se personat e lartcekur përbëjnë rrezik për sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket informimit të kryeministrit për këtë proces, AKI-ja obligohet me ligj që t’i raportojë në të njëjtën kohë kryeministrit, prandaj duhet të sqarohet nëse kjo ka ndodhur apo jo. Ministri Sefaj nuk ka qenë fare në dijeni se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin i cili aktivizohet në rastet kur AK-jaI vlerëson se po cenohet siguria shtetërore e Kosovës”, është thënë në komunikatën e AKR-së.

AKR-ja në këtë komunikatë ka vlerësuar jashtëzakonisht lartë punën dhe angazhimin e Sefajt në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Ministri Sefaj në vazhdimësi ishte i vendosur në mbrojtje të Republikës dhe Kushtetutës së vendit, sikur në rastin e ndalimit të Marko Gjuriq, i cili hyri jashtëligjshëm në territorin e Kosovës si dhe në shumë detyra tjera, në mënyrë institucionale e dinjitoze me përgjegjësi e respekt ndaj shtetit, në rend të parë”, është theksuar në komunikatën e AKR-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës nesër (e mërkurë), në orën…