Aksion i madh kundër korrupsionit në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq

07 maj 2026 | 11:29

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.

Sipas njoftimit, aksionet po realizohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përfshijnë bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës, marrje deklaratash me anë të shtrëngimit, keqpërdorim të informatës zyrtare, mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.

Sipas dyshimeve fillestare të hetuesisë, të dyshuarit në bashkëveprim dyshohet se kanë siguruar përfitime të kundërligjshme pasurore përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të pronave.

Po ashtu, pesë zyrtarët e përfshirë në rast dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për të mundësuar përfitime të kundërligjshme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, duke paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se ish-deputetja…