Aktakuzë për sulm ndaj personit zyrtar
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas aktakuzës, me datë 08.06.2022, rreth orës 14:40, në rrugën ‘Suzi Qelebi’, në Prizren, i pandehuri Z.B., me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare – zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar në rrugën e lartpërmendur, kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës ‘Volvo’, pronë e të pandehurit, ku i dëmtuari në xhamin e veturës i ka vendosur ‘njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje’. I pandehuri Z.B., me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.
Më tej theksohet se: “I pandehuri më pas, njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj ia hedh në fytyrë të dëmtuarit dhe i vërsulet të njëjtit për ta sulmuar, i dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdorë pajisjen zyrtare ‘Sprej OC’, duke hedhur të njëjtin në drejtim të të pandehurit, më pas i pandehuri largohet nga i dëmtuari. Me këto veprime, i pandehuri Z.B., ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ sipas KPRK-së”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.



