Aktivistja e burgosur iraniane fiton Nobelin për Paqe

06 tetor 2023 | 11:59

Narges Mohammadi, aktivistja e burgosur iraniane,  ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për luftën kundër shtypjes së grave në Iran.

“Ky çmim është para së gjithash një njohje e punës shumë të rëndësishme të një lëvizjeje të tërë në Iran me lideren e saj të padiskutueshme, Nargis Mohammadi”,  ka thënë Berit Reiss-Andersen, kryetarja e Komitetit norvegjez të Nobelit që e ka shpallur çmimin në Oslo, raporton “AP”.

Burgosja më e fundit e Mohammadit ka filluar kur ajo është arrestuar në 2021 pasi ka marrë pjesë në një memorial për një person të vrarë në protestat mbarëkombëtare të vitit 2019, të shkaktuara nga një rritje e çmimeve të benzinës.

Ajo është mbajtur në burgun famëkeq “Evin” të Teheranit, ku dërgohen në vuajtje të dënimit ata me lidhje perëndimore dhe të burgosur politikë.

Reiss-Andersen tha se Mohammadi është burgosur 13 herë dhe dënuar pesë herë. Në total, ajo është dënuar me 31 vjet burgim.

Ajo është gruaja e 19-të që fiton Çmimin Nobel për Paqe dhe gruaja e dytë iraniane, pasi aktivistja e të drejtave të njeriut Shirin Ebadi e kishte fituar çmimin në vitin 2003.

Mohammadi ishte në burg për protestat e fundit mbarëkombëtare për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila  ka vdekur pasi është ndaluar nga policia morale e vendit.

Megjithatë, Mohammadi ka kontribuuar me një artikull opinioni për “The New York Times” nga prapa grilave.

“Ajo që qeveria mund të mos kuptojë është se sa më shumë prej nesh të mbyllin, aq më të fortë bëhemi”, ka shkruar ajo.

Çmimi i Paqes është i pesti nga çmimet e këtij viti që shpallet.

Sezoni i Nobelit përfundon javën e ardhshme me shpalljen e fituesit të çmimit të ekonomisë, i njohur zyrtarisht si çmimi i Bankës së Suedisë në shkenca ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AS Roma e mposhti me rezultat 4-0 Servetten në kuadër…