Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit do të hidhen poshtë

27 tetor 2020 | 11:10

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Hetim të Privatizimit, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK-së), Gazmend Bytyçi, ka bërë me dije se pas inervistimit të dëshmitarëve të këtij procesi, do të vazhdojnë hetimet se kush janë përfituesit e privatizimit në vendin tonë.

Bytyçi në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se padrejtësisht PDK-ja është vënë në shënjestër të sulmeve në lidhje me privatizimet. “PDK-ja është vënë në shënjestër të sulmeve të ndryshme, duke na akuzuar se jemi keqpërdoruesit më të mëdhenj në procesin e privatizimit e, në fakt, ne pretendojmë dhe besojmë se është krejtësisht e kundërta”, ka thënë Bytyçi.

Në këtë kontekst, Bytyçi ka thënë se eksponentët e Vetëvendosjes dhe LDK-së janë të lidhur me procesin e privatizimeve. “Në opinion po qarkullojnë disa lista dhe disa emra dhe nga ajo çfarë kam parë, janë lista të sakta dhe janë shumë eksponentë të partive të tjera, të Lidhjes Demokratike të Vetëvendosjes etj., që janë privatizues, por ne nuk do ta akuzojmë askënd se janë apo jo keqpërdorues të këtij procesi. Që janë privatizues, kjo është e vërtetë”, ka deklaruar Bytyçi.

Më tutje, Bytyçi ka folur rreth raportimeve në media për përfshirjen e PDK-së në qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ai ka bërë me dije se në forumet e PDK-së nuk është diskutuar asnjëherë përfshirja e kësaj partie në qeveri.

“Deri më tani mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se në të gjitha forumet ku unë marrë pjesë, flas edhe për mbledhjet e grupit parlamentar të PDK-së, kjo çështje nuk është diskutuar”, ka thënë Bytyçi.
Deputeti i PDK-së ka komentuar edhe propozimaktakuzën e Gjykatës Speciale kundër presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të partisë së tij, Kadri Veseli. Bytyçi ka thënë se beson se do të hidhet poshtë propozimaktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Epoka e re”: Z. Bytyçi, si është duke shkuar puna në Komisionin Hetimor për Privatizim?
Bytyçi: Ky komision është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kryetari Kadri Veseli. Qëllimi i këtij komisioni është zbardhja e të gjithë procesit të privatizimit që ka ndodhur nga viti 2001 e deri më tani. Dhe arsyeja është që të shihet se a janë respektuar procedurat dhe sa ka pasur transparencë në këtë proces. Po ashtu, qëllimi i këtij komisioni është të shihet edhe ndikimi i politikës dhe grupeve të interesit, siç interpretohet vazhdimisht në opinion. Ne konsiderojmë se padrejtësisht PDK-ja është vënë në shënjestër të sulmeve të ndryshme, duke na akuzuar se jemi keqpërdoruesit më të mëdhenj në procesin e privatizimit e, në fakt, ne pretendojmë dhe besojmë se është krejtësisht e kundërta. Në fakt, janë partitë e tjera politike që kanë bërë me gisht nga PDK-ja dhe vetë janë të përfshira në këtë proces apo mund të jenë keqpërdoruesit më të mëdhenj të këtij procesi. Sa i përket vlerësimit ekonomik dhe profesional se sa ka pasur efekt ky proces ne kemi angazhuar ekspertë të ekonomisë, në kuadër të grupit parlamentar e që, në fund, besoj se do të dalim me një raport përfundimtar në Kuvendin e Kosovës. Çështja e këtij komisioni është se ne jemi në gjysmë të kohës, pasi një komision hetimor mund të punojë deri në gjashtë muaj dhe jo më shumë. Tani jemi në fazën e intervistimit, ku kemi pasur dëshmitarë, kryesues, anëtarë të bordeve që kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në këtë proces. Prej shumicës prej tyre kemi marrë vlerësimin profesional, por edhe për disa çështje që po dalin se kanë qenë problematike për kohën.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar befasi nga ky komision sa iu përket privatizuesve. Përveç listës që qarkulloi në media, çfarë tjetër mund të na thoni?
Bytyçi: Në opinion po qarkullojnë disa lista dhe disa emra dhe nga ajo çfarë kam parë, janë lista të sakta dhe janë shumë eksponentë të partive të tjera, të Lidhjes Demokratike të Vetëvendosjes etj., që janë privatizues, por ne nuk do ta akuzojmë askënd se janë apo jo keqpërdorues të këtij procesi. Që janë privatizues, kjo është e vërtetë. Çështje tjetër që ne do ta fillojmë pjesën e hetimeve është që ta shohim se kush kanë qenë përfitues. A kanë qenë familjarë të tyre apo është dikush nga personat politikë dhe publikë e që do të jetë një fazë tjetër pas përfundimit të intervistimit të dëshmitarëve. Por, ne do ta hetojmë edhe pjesën e ndërmarrjeve që nuk i kanë përmbushur kushtet e kontratës. Pra, nuk është vetëm çështja e privatizimit, por edhe e obligimit që kanë pasur ndërmarrjet e privatizuara ndaj punëtorëve. Si komision jemi duke pranuar ankesa të ndryshme nga punëtorët e atyre ndërmarrjeve të cilët ankohen në këtë proces për shkelje të të drejtave bazë të tyre.

“Epoka e re”: A jeni të bashkuar me partitë në pushtet në këtë proces?
Bytyçi: Në fakt, në Kuvend është mirëpritur ky propozim i PDK-së. Është votuar nga deputetët pro hetimit të procesit të privatizimit dhe ka pasur një tendencë të partive të tjera, sidomos të Vetëvendosjes që të tentojë të krijojë çështje të tjera, por ne kemi konsideruar se duhet t’i përmbahemi autorizimit çfarë na ka dhënë Kuvendi. Deri më tani, konsideroj se është duke u punuar me frymë bashkuese dhe anëtarët e komisionit janë të interesuar dhe janë duke punuar që ta zbardhin këtë çështje.

“Epoka e re”: Raporti i Progresit ka dhënë vërejtje për punët e komisioneve hetimore. Çfarë epilogu prisni që do të ketë ky komision?
Bytyçi: Ne do të punojmë që ky komision të dalë me një raport sa më të hollësishëm i cili do të ketë informacione sa më përmbledhëse për këtë proces. E kuptojmë vështirësinë dhe kompleksitetin, pasi po flasim për shitjen e afër tre mijë ndërmarrjeve dhe për një kohë gjashtëmujore të hetohen të gjitha këto është e pamundur, por faza tjetër që do të vijë pas intervistimit është se do të fillojmë t’i hetojmë dhe merremi me rastet specifike ku është raportuar dhe ka fakte për abuzime. Unë nuk po flas për punën e komisioneve të tjera sa i përket Raportit të Progresit, por po flas për këtë komision i cili është duke bërë punë goxha të madhe. Për shkak të rëndësisë që e ka, ne kemi vendosur që në fokus kryesor ta kemi këtë komision.

“Epoka e re”: Z. Bytyçi, të ndalemi pak te Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Ky projektligj nuk është përkrahur nga PDK-ja, edhe pse ka kaluar në lexim të parë. A keni ndryshuar qëndrim sa i përket këtij dokumenti kur ai pritet të dalë për diskutim dhe votim në lexim të dytë?
Bytyçi: Ne nuk kemi qenë kundër pakos së rimëkëmbjes asnjëherë. Ne kemi dhënë variante edhe më të mira sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti, por ka qenë mosgatishmëria e qeverisë që të bashkëpunojë me PDK-në dhe grupin tonë parlamentar për t’i marrë parasysh vërejtjet tona. Thjesht, konsiderojmë se kjo qeveri e ka keqpërdorur mirësinë e PDK-së edhe pse si opozitë kemi votuar edhe rishikimin e buxhetit edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe ata nuk i kanë marrë për bazë asnjëherë këshillat dhe vërejtjet tona. Prandaj nuk mund të funksionojmë me këtë formë të qeverisë që lanson në opinion gjoja një pako për rimëkëmbje ekonomike, e që më së paku ka të bëjë me rimëkëmbje. Qëndrimet tona janë të njëjta, përderisa nuk e dimë a do të merren parasysh dhe a do të amendamentohen propozimet tona në kuadër të kësaj pakoje.

“Epoka e re”: Vazhdimisht po qarkullojnë zëra se PDK-ja do të bëhet pjesë e qeverisë Hoti. Jeni duke diskutuar në forume të partisë që të jeni pjesë e ekzekutivit?
Bytyçi: Deri më tani mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se në të gjitha forumet ku unë marrë pjesë, flas dhe për mbledhjet e grupit parlamentar të PDK-së, kjo çështje nuk është diskutuar.

“Epoka e re”: Ende nuk është dhënë ndonjë verdikt nga Gjykata Speciale sa i përket propozimaktakuzës së Thaçit dhe Veselit. Si jeni duke e parë këtë proces?
Bytyçi: Unë personalisht, por edhe PDK-ja besojmë se shumë shpejt do të jepet verdikti dhe do të hidhen poshtë të gjitha pikat e aktakuzës për të cilat nuk ka fare bazë jo vetëm për Thaçin dhe Veselin, por për të gjithë bashkëluftëtarët tanë dhe të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.

“Epoka e re”: Të themi në rastin më të keq, nëse konfirmohet aktakuza ndaj z. Veseli, a është diskutuar brenda PDK-së se kush potencialisht mund ta zë vendin e tij?
Bytyçi: Jo dhe as që e kemi marrë parasysh këtë çështje.

“Epoka e re”: Z. Bytyçi, keni iniciuar në Kuvend Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por në mungesë të votave nuk është duke arritur të miratohet. Çfarë është duke ndodhur?
Bytyçi: Edhe ky projektligj është iniciuar nga PDK-ja, konkretisht nga ana ime. Kemi punuar një kohë të gjatë para se të vijë në Kuvend dhe për tre muaj kemi pasur një bashkëpunim të mirë me të gjitha partitë politike. Në këtë drejtim patëm marrë premtime se do ta votojnë këtë projektligj dhe nuk kanë pasur asnjë lloj ankese. Por në momentin e fundit Vetëvendosja dhe LDK-ja janë tërhequr, madje për më keq i kanë dezinformuar qytetarët dhe opinionin se me këtë ligj ne po bëjmë dëme të caktuar te liria e shprehjes etj. Por, të gjitha këto janë duke u bërë vetëm sa për ta arsyetuar mosvotimin e tyre. Ne ishim dhe jemi të hapur që t’i marrim parasysh komentet tyre, megjithëse ende nuk kemi asgjë konkrete me shkrim. Ky projektligj ka kaluar nga zyrat e Kuvendit dhe qeverisë, është rikthyer në komisionin funksional, e që sërish e ka marrë dritën jeshile. Po ashtu, kemi pasur tryezë të përbashkët me të gjitha partitë politike, edhe pse nuk është obliguese, por kishim dëshirë t’i ofrojmë të gjithë. Po ashtu kemi pasur bashkëpunim edhe me shoqatat e dala nga lufta. Përkundër premtimeve që kemi pasur se do ta votojnë këtë projektligj, është duke ndodhur e kundërta.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmni Ditërëniet dhe ditëlindjet e Heronjëve dhe Dëshmorëve të…