Albin Kurti në takim të ngrohtë me kompozitoren Pranvera Badivuku: Rrefime nga trashëgimia muzikore dhe emocionet e dashurisë

14 janar 2024 | 18:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar , njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës, Pranvera Badivukun.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Pranvera me shumë emocion fliste për dashurinë dhe disiplinën në punë, si në shkollë ashtu edhe në Radio Televizionin e Prishtinës

“Pasditen e së dielës e kaluam me Pranvera Badivukun, njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës. U gëzova shumë që me gjithë moshën, ishte mirë me shëndet dhe e gëzueshme. Për më tepër, na tregoi që nuk i mungon as vullneti për të krijuar”.

“Përherë e këndshme në bisedë dhe mirëkuptuese në kritikë muzikore, Pranvera me shumë emocion fliste për dashurinë dhe disiplinën në punë, si në shkollë ashtu edhe në Radio Televizionin e Prishtinës. Krijimet e saj vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës”.

“Pranvera Badivuku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë muzikore të Kosovës. Kompozimet e saj janë shpërblyer me pesë “Okarina të arta” në “Akordet e Kosovës” dhe shumë çmime e pjesëmarrje në festivale brenda dhe jashtë vendit. Krijimet e saj janë interpretuar nga emra të mëdhenj të skenës sonë muzikore, nga Nexhmije Pagarusha, Esat Bicurri, Liljana Çavolli, Shpresa Gashi, Bashkim Paçuku, Sebahate Bërlajolli e deri te këngëtarët e brezave më të ri. Vepra e saj “E kujtoj atë takim” e krijuar fiks para 50 vitesh, do të vazhdojë të mbetet himn i këngës shqipe. Edhe takimin e bisedën tonë shumë të ngrohtë sot do t’i kujtojmë përherë. Nga banesa e saj u larguam me urimin për shëndet e jetë të gjatë”, ka shkruar Kurti. /Gazeta Express

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në emisionin ZEN, te Artan…