Ali Ahmeti fton shqiptarët në Zvicër për festimin e 28 Nëntorit
Me rastin e Ditës së Flamurit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në Zvicër, pa dallim krahine, vendbanimi apo bindjeje politike, që të bëhen bashkë për të festuar 28 Nëntorin.
Përmes një mesazhi urimi, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e kësaj date për identitetin kombëtar shqiptar, duke e cilësuar 28 Nëntorin si simbol të historisë, sakrificës, krenarisë dhe bashkimit kombëtar.
Në kuadër të kësaj feste, shqiptarët janë ftuar të marrin pjesë në një organizim festiv që do të mbahet në Bärenmattsaal, në Suhr të Zvicrës.
Ngjarja do të zhvillohet sot duke filluar nga ora 18:00.
“Ftesa është e hapur për të gjithë shqiptarët!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ahmeti.
Ai ka bërë thirrje që kjo ditë të festohet së bashku, duke nderuar flamurin kuq e zi dhe duke dëshmuar se shqiptarët, pavarësisht distancës, mbeten të bashkuar rreth identitetit dhe simboleve të tyre kombëtare.



