Aliu: Është anuluar shpronësimi abuziv, nuk është ndalur autostrada Prishtinë-Pejë

28 tetor 2021 | 13:57

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë me dije se Qeveria nuk e ka ndaluar projektin e autostradës Prishtinë-Pejë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është anuluar vetëm shpronësimi abuziv, i cili do të kthehet në rivlerësim.

Sipas tij, rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurente e rrugës Prishtinë-Pejë.

Qeveria ka dje ka anuluar vendimin përfundimtar të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të ndërtimit të Autostradës Prishtinë-Pejë, në segmentin Kijevë-Klinë-Zahaq.

Sipas qeverisë, vendimi vjen pas auditimit dhe vlerësimit që evidenton parregullsi të theksuara.

Postimi i plotë i Aliut:

Projekti i autostradës për Pejë nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim.

Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Nuk është ndaluar projekti.

Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës, Pejë – Prishtinë dhe Klinë – Prizren.

Rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurente e rrugës Prishtinë-Pejë. Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh.

Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush, dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara, do ta ndjekim me seriozitetin maksimal duke e dërguar çështjen në prokurori.

Kosova do të ketë njëkohësisht infrastrukturë moderne, dhe mirëadministrim të buxhetit për rrugët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmjen e djeshme Roma triumfoi me rezultatin 1-2 ndaj Salernitanës…