Ambasada e Gjermanisë: Për keqardhje që po humbet kohë e çmuar me zgjedhje të reja

04 maj 2026 | 15:14

Kuvendi i Kosovës është shpërndarë të martën e 28 prillit, pasi ky Kuvend ka dështuar të zgjedh presidentin e ri të shtetit me mandat 5 vjeçar.

Më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje tentoi të zgjedh presidentin duke propozuar kandidatë për president, Glauk Konjufcën, e më pas si kundërkandidate Fatmire Mulhaxha Kollçakun. Kjo seancë nuk pati kuorum duke e pamundësuar votimin, e menjëherë pasi kaloi 5 marsi presidentja Osmani, shpërndau Kuvendin përmes një dekreti.

Ky dekret u dërgua nga LV-ja në Gjykatë Kushtetuese, të cilët i dhanë Kuvendit edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin, afat ky i pasuksesshëm pasi as pas 34 ditëve zgjidhje nuk pati.

Pavarësisht takimeve e tentimeve, partitë politike në vend nuk arritën të gjejnë një kandidat për President që do të merrte 80 votat e nevojshme.

Më 28 prill, pasi dështoi votimi i kandidateve Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, Kuvendi përfundimisht u shpërnda duke e çuar vendin sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në lidhje me situatën e krijuar në vend, me institucione që nuk po arrijnë ta kryejnë mandatin e tyre, për “lajmi.net” ka folur Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Duke e rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, nga kjo ambasadë kanë thënë se në rrugën drejt integrimit euro-atlantik të Kosovës, duhet të ketë institucione të mandatuara.

“Gjermania mbetet një mike e afërt dhe partnere e përkushtuar për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik. Përparimi në këtë rrugë kërkon institucione plotësisht të mandatuara, funksionale, të qëndrueshme dhe efektive”, kanë thënë nga kjo ambasadë.

Përpos kësaj, nga Ambasada e Gjermanisë kanë shprehur keqardhje për situatën në të cilën ndodhet Kosova.

“Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që po humbet kohë e çmuar për shkak të një raundi tjetër zgjedhjesh parlamentare. Prioriteti tani duhet të jetë që të ndërmerren dhe të zbatohen pa vonesë të gjitha hapat e nevojshëm, në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për “lajmi.net”.

Kosova do të ketë zgjedhje përsëri me 7 qershor, të tretat parlamentare që nga 9 shkurti 2025. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu caktoi 7 qershorin pas takimit që pati javën që shkoi me përfaqësuesit e partive politike në vend.

 

Thuajse njëzëri, si rrallëherë partitë politike ishin që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori që edhe Komisioni Qendror Zgjedhor të ketë kohën e nevojshme të përgatitjes.

Më 9 shkurt pavarësisht se u mbajtën zgjedhjet, deputetët e zgjedhur nuk arritën për mbi 50 seanca që të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe nënkryetarët. Pasi u zgjodh Dimal Basha, LV-ja që doli e para në ato zgjedhje nuk arriti të formoj Qeverinë duke e shpërndarë përsëri Kuvendin.

Kjo situatë detyroi që vendi të mbaj zgjedhje përsëri më 28 dhjetor, të cilat e nxorën fitues absolut Albin Kurtin dhe LV-në me mbi 51 për qind. Pavarësisht se i pati 66 deputetë bashkë me minoritete dhe arriti të formoj Kuvendin dhe Qeverinë, ata nuk ia dolën të zgjedhin presidentin.

Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 7 qershor në një situatë të përshpejtuar. KQZ-ja vetëm se ka filluar përgatitjet për këto zgjedhje, të cilat pritet të sjellin një zgjidhje për vendin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se dy anije tregtare…