Ambasada e ShBA-së i reagon Qeverisë së Kosovës për disa nga emërimet në pozitat e larta qeveritare

14 maj 2019 | 16:20

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, nëpërmjet një deklarate për medie është shprehur e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare , përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës zyrtare.

“Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit”, është thënë në deklaratën e ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Deklarata e plotë e ambasadës së ShBA-së në Kosovë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin thellësisht të shqetësuara nga veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës.

Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare.

Nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve.

Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit.

Natyrisht, individët duhet të kenë mundësi për të rindërtuar jetën e tyre pas këtyre shkeljeve të të kaluarës: ashtu siç ka thënë Bryan Stevenson, avokat dhe humanitar amerikan: „Secili prej nesh është më shumë se gjëja më e keqe që e kemi bërë ndonjëherë”. Por, madje edhe përderisa historia rikujton kontributet pozitive të individëve, si dhe dështimet e tyre, disa sjellje do të duhej të ç’kualifikonin përjetësisht një individ nga pozita zyrtare: përfshirja në krime të rënda do të duhej të ngrinte shqetësim për përshtatshmërinë e një personi që ndonjëherë të mbajë një pozitë të tillë.

I nxisim qytetarët e Kosovës, si dhe udhëheqësit e saj për të reflektuar se çfarë fytyre duan që Kosova t’ia tregojë botës.

Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, është…