Ambasada gjermane në Kosovë: Do ta mirëprisnim heqjen e menjëhershme të taksës

13 shkurt 2020 | 11:08

Ndërkombëtarët vazhdojnë të insistojnë në heqjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e cila u vendos nga Qeveria Haradinaj.

Partnerët ndërkombëtarë thonë se heqja e taksës do të ishte hap i mirë për rifillim të dialogut, që tash e sa kohë ka ngecur shkaku i taksës.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë  se kjo taksë do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë tregtar, ekonomik dhe politik. Por vendosjen e reciprocitetit janë duke e kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell vazhdon të insistojë që taksa 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duhet të hiqet dhe kjo pa reciprocitet.

Në të njëjtën linjë me ShBA-të është edhe Gjermania. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për “Telegrafin” ka thënë se pozicioni i Gjermanisë mbetet i pandryshuar dhe se Qeveria gjermane do ta mirëpres heqjen e menjëhershme të taksës.

“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar: Qeveria gjermane do të mirëpresë një heqje të menjëhershme të taksës 100 për qind të vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën”, është thënë në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Më tej gjermanët kanë theksuar se heqja e taksës do të ishte një hap i rëndësishëm për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për të rifilluar dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, është në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

Kujtojmë se zotimi i Kurtit për heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet nxiti reagime të ashpra nga opozita në Kosovë.

Kjo bëri ka bërë që i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell t’i drejtohet Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, duke i thënë se “taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet” dhe se Kurti “ka të drejtë në këtë drejtim”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në…