“Nuk mjaftojnë deklaratat”, OVL-UÇK nga Prekazi kërkon shfuqizimin e Gjykatës Speciale

28 nëntor 2026 | 10:12

Në kuadër të homazheve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Prekaz, për ndër të festës së 28 Nëntorit, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve kanë nderuar të rënët për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka rikujtuar rëndësinë e sakrificës së dëshmorëve, ndërsa ka kritikuar institucionet e Kosovës për, siç ka thënë, mungesën e veprimeve konkrete lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të thërrasin një seancë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të cilën e ka cilësuar si gjykatë politike.

“Në këto raste i nderojmë të gjithë dëshmorët e të gjitha periudhave pa dallim, që të gjithë kanë pasur një qëllim: lirinë e këtij vendi, dhe nëpërmjet lirisë, çlirimin dhe bashkimin e popullit dhe kombit shqiptar.Edhe sot këto festa nuk shënohen për ne si duhet, për arsye sepse krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë padrejtësisht në Hagë, dhe unë nga ky vend do t’ju thoja përfaqësuesve të institucioneve që nuk vlen vetëm të rrinë e të bëjnë deklarata në këtë vend të shenjtë, te varrezat e dëshmorëve, por të veprojnë në detyrat dhe pozicionet që i kanë marrë, sepse kanë përgjegjësi morale, njerëzore dhe kombëtare. Dhe edhe sot nga këtu dua t’u bëj thirrje deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës që të thirret një seancë sa më shpejt, dhe vetëm një nen të votohet dhe të shfuqizohet Gjykata Speciale, ajo gjykatë politike ku mori një vendim politik, dënoi krerët dhe goditi, siç e kemi thënë në vetë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, goditi në shtetësinë e Kosovës, dhe natyrisht edhe po të ishte i gjallë Adem Jashari me të gjithë këta bashkëluftëtarë, sigurisht se do të përfundonin atje padrejtësisht”, ka thënë ai.

“Dhe shpresojmë që krahas shfuqizimit të kësaj gjykate të vazhdojnë betejën diplomatike edhe juridike dhe sa më shpejt të merr fund kjo re e zezë t’i hiqet Kosovës që ju është vendosur padrejtësisht, dhe njëherë e përgjithmonë të merr fund kjo gjueti që gjatë gjithë periudhës pas përfundimit të luftës është goditur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe luftëtarët e kësaj lufte të shenjtë”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, së…