Ambasadorët e QUINT-it dhe shefja e BE-së premtojnë bashkëpunim me qeverinë e re

03 shkurt 2020 | 21:18

Zgjedhjen e Albin Kurit, kryeministër i Kosovës e uruan ambasadorët e vendeve të QUINT-it, presidenti Hashim Thaçi e ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti votimin e sotëm në parlamentin e Kosovës për qeverinë e re të vendit.

“Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore”, shkroi presidenti Thaçi.

Ish kryeministri, Ramush Haradinaj, shkroi se “nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve. Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë. Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin. Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e zëvendëskryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar”, shkroi ai.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett përgëzoi Kosovën për formimin e qeverisë.

“Mezi pres të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, partitë e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe përparimin dhe për të ndihmuar Kosovën të vendosë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj”, shkroi ai në rrjetet sociale

Ambasadori britanik Nicholas Abbot, uroi qeverinë e re dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Ka një rrugë të vështirë përpara për administratën në ardhje dhe çështjet urgjente duhet të trajtohen, përfshirë buxhetin e shtetit për vitin 2020, vendimet e bllokuara administrative dhe sundimin e ligjit. Më 6 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim. Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në zbatimin e dëshirave të elektoratit dhe shpresat e të gjithë qytetarëve”, shkroi ai.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar qeverinë e re të vendit, në krye me Albin Kurtin.

Në një deklaratë në faqen e saj në Facebook, kjo ambasadë thotë se, si partner jetëgjatë i institucioneve të Kosovës, pret me padurim të vazhdojë bashkëpunimin, mbështetjen për sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ka uruar për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Apostolova thotë se mezi pret të punojë me kryeministrin Albin Kurti dhe të gjithë anëtarët e Qeverisë për agjendën e përbashkët evropiane.

“Ditë e rëndësishme për Kosovën. Urime për Qeverinë e re! Mezi pres të punojë me kryeministrin Albin Kurti dhe të gjithë anëtarët e Qeverisë për agjendën tonë të përbashkët evropiane për popullin e Kosovës”, shkroi Apostolova.

Edhe misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë përgëzoi qeverinë e re të Kosovës.

Liderë të tjerë opozitar ende nuk e kanë uruar krijim e qeverisë së re, ndërkohë gjatë ditës në Kuvend kanë shprehur një mori kritikash ndaj Kurtit. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka…