Ambasadori Blerim Reka pret ekipin e filmit “DUA”, propozimin e Kosovës për Oscar
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, Blerim Reka, ka pritur në takim regjisoren Blerta Basholli dhe producentin Valon Bajgora, pjesë e ekipit të filmit “DUA”, i cili është propozimi zyrtar i Kosovës për çmimet Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Reka ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji filmi “DUA” do të shfaqet para publikut të Nju-Jorkut, duke përcjellë një rrëfim të fuqishëm që i jep zë kujtesës së Kosovës dhe historisë së saj përtej kufijve.
Ai ka vlerësuar talentin dhe përkushtimin e ekipit realizues, duke theksuar se artistët kosovarë janë ndër ambasadorët më të mirë të vendit në botë.
Reka ka shprehur krenarinë për krijimtarinë e tyre, si dhe urimet më të mira për filmin “DUA” në rrugëtimin drejt Oscar-it.




