Amerikanët mendojnë se Biden është “shumë i moshuar”, Trump është “i korruptuar”

29 gusht 2023 | 13:30

Në një kohë mospajtimesh të thella, votuesit amerikanë pajtohen për një gjë: Presidenti Joe Biden është shumë i moshuar për të qenë efektiv në një mandat të dytë. Ish Presidenti Donald Trump, kandidati kryesor republikan për president, në mënyrë befasuese nuk nxit shqetësime të ngjashme për moshën e tij, ndonëse ka vetëm disa vjet diferencë mes tyre.

Por votuesit kanë shumë shqetësime rreth Trumpit lidhur me aktpaditë penale ndaj tij. Megjithëse ai është 77 vjeç, të anketuarit mendojnë se ish-presidenti duhet të bëhet më i pjekur.

Një anketë e re nga The Associated Press dhe Qendra NORC, arriti në përfundimin se pjesa më e madhe e publikut është e bashkuar lidhur me moshën e Bidenit, një faktor që ai nuk mund ta ndryshojë.
Presidenti Biden vetë e ka përmendur çështjen e moshës, duke bërë shaka, me sa duket për të qetësuar publikun në këtë drejtim, raporton VOA.

Në anketë, 77 për qind të votuesve thanë se Biden është shumë i moshuar për të qenë efektiv në katër vitet e ardhshme. Këtë mendim e ndajnë 89 për qind të votuesve republikanë dhe 69 për qind e votuesve demokratë. Këtë mendim e ndajnë të gjitha grupmoshat, jo vetëm votuesit e rinj, ndonëse demokratët më të moshuar e mbështesin në përgjithësi kandidimin e tij për zgjedhjet e vitit 2024.

Në dallim nga mendimet për moshën e Bidenit, vetëm gati gjysma e amerikanëve e konsideron Trumpin shumë të moshuar për pozitën e presidentit. Por, sa i takon moshës së Trumpit, demokratët dhe republikanët dallojnë në qëndrime – janë demokratët në përgjithësi që e shohin moshën e Trumpit, si element diskualifikues dhe jo republikanët.

Në përgjithësi, votuesit demokratë, republikanë dhe të pavarurit, janë në favor të vendosjes së një kufiri për moshën e presidentit, anëtarëve të Kongresit dhe atyre të Gjykatës së Lartë. Rreth dy-të-tretat e amerikanëve mbështesin një kufi moshe për presidentin dhe Kongresin, dhe të një moshe të caktuar pensioni për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Anketa supozon se shumë votues nga i gjithë spektri politik, janë të hapur ndaj fytyrave të reja në politikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ngrohja globale po shkakton gjithnjë e më shumë fatkeqësi natyrore…