Analistët: Qeverinë e re e presin shumë sfida

13 tetor 2019 | 14:05

Njohësit e proceseve politike, Imer Mushkolaj dhe Artan Murati, kanë vlerësuar se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta dhe të rënda. Ata kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i gjendjes në arsim dhe shëndetësi do të jenë sfidat kryesore në aspektin e brendshëm.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Qeveria e re e Kosovës do të ketë shumë sfida para vetes. Ai ka theksuar se edhe pritjet e qytetarëve janë të mëdha sa i përket zgjidhjes së problemeve nga qeveria Kurti.

“Qeveria e re do të ketë shumë sfida dhe përnjëmend është vështirë të bëhet një listë në kuptimin se cila është më e vështirë dhe cila më e lehtë për shkak se qeverisjet e kaluara në përgjithësi kanë krijuar shumë probleme dhe qytetarët i kanë pritjet e mëdha se qeveria e re e drejtuar nga Kurti mund t’i zgjidhë ato”, është shprehur Mushkolaj, duke shtuar se një prej sfidave kryesore mbetet sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe shëndetësia.

“Sfidat më të mëdha kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Këtu nënkuptoj luftimin e korrupsionit, krimin e organizuar dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me paligjshmërinë që është instaluar me vite në vend. Sfida e dytë do të jetë zhvillimi ekonomik, përkatësisht krijimi i mundësisë për hapjen e vendeve të reja të punës. Këtu po e ndërlidh edhe një sfidë që ka të bëjë me shëndetësinë dhe arsimin për shkak se të dy këto fusha kanë qenë të lëna anash deri më tash, ose më tepër kanë qenë prioritete në letër sesa që vërtet dikush është marrë me to seriozisht”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ai ka thënë se sfida më e madhe mbetet arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ani pse, sipas Mushkolajt, qytetarët i kanë votuar LV-në dhe LDK-në për t’u marrë me çështjet e brendshme. “Sfidë tjetër natyrisht se është arritja e marrëveshjes me Serbinë. Ekziston një farë droje në përgjithësi se shumica e energjisë së qeverisë së re do të fokusohet tek arritja e kësaj marrëveshje. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, qytetarët në masë të madhe i kanë votuar këto dy parti që kanë dalë të parat në zgjedhje për t’u marrë me çështjet e brendshme. Kështu që është goxha problematike që qeveria të dijë ta orientojë energjinë dhe angazhimin. Si prioritet në politikën e jashtme po nënkuptoj edhe këtë arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Po ashtu, është e rëndësishme të dihet se cilat do të jenë vendimet e para të qeverisë së re”, ka thënë ai, duke shtuar se do të jetë e vështirë që brenda një kohe të shkurtër të zgjidhen problemet që janë grumbulluar gati që dy dekada.

Mushkolaj ka folur edhe për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se legjislatura e shtatë, bazuar në rezultatet preliminare, do të jetë më e mirë sesa e kaluara.

“Do të kisha dashur që disa figura që i kemi parë vazhdimisht në Kuvend, por që nuk kanë kontribuar sa duhet dhe kanë qenë aty më shumë, se e kanë një fare mbështetje në elektorat e të partisë të mos jenë më, por t’u jepet hapësirë disa figurave të reja të cilat përnjëmend janë profesioniste dhe mund të japin më shumë në Kuvend. Përndryshe, në vazhdimësi Kuvendi është përbërë prej figurave të konsumuara politikisht. Jam i bindur se përbërja e re e Kuvendit do të jetë më e mirë sesa legjislatura e kaluara për shkak se rezultatet preliminare po i nxjerrin në pah figurat e reja të cilave u është dhënë më shumë mbështetje sesa herëve të tjera”, ka theksuar ai.

Edhe menaxheri i projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit të Kosovës dhe njohësi i proceseve zgjedhore dhe politike, Artan Murati, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se legjislatura e shtatë nuk duhet t’i ngjajë paraprakes.

“Legjislatura e gjashtë ishte ndër më joefikaset në histori të Kuvendit, andaj nuk duhet të merret si shembull se si do të duhej të funksiononte një legjislaturë. Pres që deputetët që do ta marrin mandatin për legjislaturën e shtatë të punojnë me zell, ta marrin seriozisht rolin e tyre dhe ta vlerësojnë peshën e votës që do ta marrin nga qytetarët e vendit. Kosovën e presin procese të rëndësishme andaj deputetët duhet të jenë vigjilentë dhe shumë të përgjegjshëm në punën të cilën do ta kryejnë”, ka theksuar ai.

Po sipas Muratit, Qeverinë e re të Kosovës e presin shumë sfida, përfshirë këtu zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, shëndetësinë, arsimin dhe të tjera.

“Republika e Kosovës gjendet në udhëkryq në aspekt të politikës së jashtme e, po ashtu, me sfida të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve të vendit. Numri i lartë i papunësisë, zhvillimi ekonomik, sundimi i rendit dhe i ligjit, funksionalizimi i arsimit dhe i shëndetësisë janë vetëm disa prej çështjeve urgjente që duhet të trajtohen denjësisht nga institucionet që dalin pas zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka deklaruar Murati, duke shtuar se vazhdimi i dialogut do të jetë një prej çështjeve më urgjente të qeverisë së re.

“Procesi i dialogut do të jetë një nga çështjet më urgjente me të cilat do të përballet qeveria e re. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, tanimë është e qartë se kushdo që do ta udhëheqë qeverinë do të merret me dialogun me Serbinë. Po ashtu, në raport me BE-në, qeveria e re do të ketë punë të dyfishtë pasi, përveç fillimit të punës me institucionet e sapokrijuara në BE pas zgjedhjeve të qershorit, në të njëjtën kohë duhet të punojë edhe në proceset që tanimë kanë filluar e që kërkojnë zgjidhje. Lobimi për liberalizimin e vizave për qytetarët do të jetë prioritet i qeverisë në ardhje, e bashkë me vizat qeveria do të duhej që me ngulm t’i shtyjë përpara proceset integruese të Republikës së Kosovës për në BE, duke garantuar edhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe Agjendën për Reforma Evropiane”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi i verifikimit të zarfeve me vota të ardhura nga…