Analisti Jakshiq: Serbia nën drejtimin e Vuçiqit nuk e meriton të jetë pjesë e BE-së

03 shtator 2023 | 15:24

Kjo lloj Serbie që drejtohet nga Aleksandër Vuçiq nuk e meriton të jetë pjese e Bashkimit Evropian (BE). Kështu ka thënë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

Jakshiqi ka thënë se Serbia nuk po bën asgjë për t’iu afruar BE-së.

“Presidenti Aleksandër Vuçiq lavdëron BE-në kur vijnë disa investime, por nuk më kujtohet të ketë folur për vlerat e bllokut evropian, demokracinë liberale, sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut”, ka theksuar Jakshiq.

Ndërsa koordinatorja e Konventës Kombëtare për BE-në, Bojana Selakoviq, ka vlerësuar se Serbia duhet t’i bashkëngjitet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, për rrugën evropiane.

Selakoviq duke komentuar deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për hyrjen e shteteve të Ballkanit në BE deri në vitin 2030, ka thënë se është optimale periudha për negociata kur bëhet fjalë për të gjithë kapitujt.

“Ky paralajmërim është real, nëse secili do ta bëjë punën e tij, sepse pesë deri në shtatë vjet janë optimale për negociata kur bëhet fjalë për të gjithë kapitujt”, ka përfunduar Selakoviq.

Ditë më parë, Michel ka bërë thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur BE-ja dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Michel ka përsëritur disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka…