Anatomia e një luftëtareje në librin “Bleibende Spuren”

19 dhjetor 2019 | 11:15

Lulëzim ETEMAJ

Libri me rrëfime nga jeta e autores Basrie Murati – Sakiri, “Bleibende Spuren”, përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë në fokusin kryesor e ka kohën shtator 1988 – maj 1989, ndërsa pjesa e dytë përfshinë një periudhë më të gjatë kohore, duke filluar nga qershori i 1989-s deri më 2019, kur botohet libri, periudhë gjatë së cilës ajo gjendet e mërguar në Zvicër, ku jeton edhe tani.

Në pjesën e parë të librit, autorja është një vajzë e re, 17-18-vjeçare. Është gjimnaziste e vitit të 3-të, dashamirëse e fjalës së bukur. Ajo shkruan edhe vet poezi dhe prozë dhe e udhëheq grupin letrar të shkollës. Greva e minatorëve të “Trepçës”, 20-28 shkurt 1989, e nxjerr atë në sipërfaqe, përmes fjalimit përkrahës spontan, që e mbanë një ditë para bashkëmoshatarëve, nxënës të disa klasave, të cilët në shenjë solidarizimi me minatorët kishin refuzuar mbajtjen e mësimit.

Paraprakisht, ajo e përjeton brutalitetin e rrethimit, sjelljes dhe bastisjes me themel të shtëpisë nga forcat serbe në mëngjesin e hershëm të 25 shtatorit të vitit 1988, marrjen e babait nga ta, ndërsa më pastaj edhe burgosjen e vëllait, shkaku i veprimtarisë politike atdhetare.

Në fakt kjo grevë dhe ky fjalim i shkurtër, shënon pikën kulminante të angazhimit të saj konkret politik. Njëkohësisht, po kjo paraqitje i jep jetës së saj të mëpastajme kahe të posaçme të rrjedhës. Sfidat që ia sjell ajo, i kërkojnë shumë guxim, qëndresë, vetëmohim e sakrificë. Tani e tutje vajza e re e Llapashticës, e rritur në një rreth e familje patriarkale, ku dominon fjala e babait, nga leximi i librave të ndaluar nga pushteti dhe materialeve tjera të organizatës politike patriotike Lëvizja për Republikën e Kosovës (LPRK), merr mbi supet e saj të njoma një rol tejet aktiv transformues, si në planin social personal ashtu dhe në atë shoqëror dhe politik. Në planin personal, nga një vajzë shqiptare e dëgjueshme, sado që jo krejt pa shenja mospajtimi, porse të ndrydhura në vete, bindëse ndaj autoritetit të babait, ndërmerr veprime që bien tërësisht në kundërshtim me sferën ku duhej të dëgjohej fjala e tij vendimmarrëse. E kësaj natyre është shpërndarja e thirrjeve, fshehtas tij, shkaku i frikës se nuk i jepet leja për rrezikime të tilla, dhe po ashtu fshehtas ndjekësit të luftëtarëve për republikën e Kosovës, pushtetit serb. Pjesëmarrja në demonstratën e 27 marsit 1989 në Besjanë kundër heqjes së dhunshme që Serbia i kishte bërë autonomisë jo të plotë të Kosovës, paraqet veprimin e tillë të radhës. Ky angazhim shoqërohet paraprakisht me prerjen e flokëve, vënien e kapelës në kokë, për qëllime maskimi dhe shpëtimi nga njohja dhe arrestimi që mund t’i bëhej nga forcat serbe, dhe çarjen e mëngjesit të ftohtë me biçikletën e vëllait. Një veprim ky i paimagjinueshëm për dëshmitarët e kohës, njohës të mentalitetit patriarkal dhe situatës së rënduar politike, për t’u kryer nga një femër. Rrethanë ekstra rënduese paraqet qarkullimi i tankeve të ushtrisë serbe, me të cilat ajo ndeshet gjatë aksionit në agim të ditës, e të cilat demonstronin forcën përballë popullatës civile shqiptare nëpër rrugët e fshatrave dhe qyteteve të Kosovës.

Në rrëfimin e saj për këtë kohë, autorja është e hapur dhe e sinqertë, si me veten ashtu dhe me lexuesin. Ajo shkruan për gjendjen dhe përjetimet e saja në mënyrë të detajuar, pa zbukurime e krijim figurash kozmetike. E tillë shfaqet edhe atëherë kur e ndjen veten si të ishte me krah dhe i duket se madje edhe mund të fluturojë po të kishte flatra, ndjenjë që e përjeton gjatë shpërndarjes së thirrjes më 27 mars 1989 për demonstratë, pra gjatë kryerjes së detyrës qytetare në shërbim të lirisë së atdheut. E njëjta gjë vlen edhe për momentet kur ka ndrojtje se si mund të vlerësohet angazhimi i saj politik nga babai. Njëkohësisht e shfaq ndjeshmërinë e saj, deri në derdhje loti, nga goditja e rënd që ia shkakton vrasja në luftim me forcat serbe e bashkëluftëtarit Ali Ajeti.

Gjithsesi, autorja në libër e nxjerrë në pah me kujdes të madh edhe ndjenjën e respektit të veçantë dhe mirënjohjes së thellë, që e ndjenë për të gjitha ato familje që i ofruan strehim, bukë, veshje e kujdes, “Shqipes”, siç e riemërtojnë shokët e veprimtarisë, dhe bashkëveprimtarëve të saj, gjatë kohës së strehimit të fshehtë tek ta shkaku i ndjekjes së vazhdueshme nga forcat serbe.

Me ndjenjën e respektit më të thellë autorja i portretizon, krahas bashkëluftëtarëve të tjerë, posaçërisht Ahmet Haxhiun, “Bacën”, dhe “Syshqiponjën”, Fadil Vatën, dy nga heronjtë e heshtur, njëherësh drejtues të lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Me ta njihet gjatë qëndrimit fshehtas në “folenë e shqiponjës”, siç e quan banesën e Ahmet Haxhiut në Prishtinë, para se të detyrohej, shkaku i ndjekjes, për t’u arratisur fshehtas dhe strehuar në Zvicër. Së bashku me ta do ta përjetoj ndjenjën e gëzimit të madh që ua sjellë shtypja e fletushkës “Minatori” si dhe buletinit të “Zërit të Kosovës”, “Rruga e Lirisë”.

Në pjesën e dytë të librit “Bleibende Spuren”,  nga qershori i vitit 1989, autoren e ndeshim në Zvicër, të lënë në udhëkryqin jetësor, nën mëshirën e fatit dhe sfidave të panumërta. Në rrethana të tilla, krejtësisht të reja, ajo, duke e pas si pjesë të qenies së saj, njëherit dhe anë të fortë, këmbënguljen dhe qëndresën, vazhdon e vetmuar luftën në vend të huaj për mbijetesë të dinjitetshme. Është e detyruar t’u nënshtrohet procedurave burokratike të azilkërkimit si dhe të kryejë punë shpesh të rënda, në funksion të jetesës së ndershme, nga mundi dhe djersa e vet, e shoqëruar jo rrallë nga mosmirënjohja dhe mosvlerësimi adekuat që i bëhet. I përballon që të gjitha. Me gjithë vështirësitë e pengesat që i has në fillim me gjuhën gjermane e reformat e panjohura të arsimimit, mbarimi i shkollimit dhe aftësimi profesional ia kanë hapur rrugën të ketë një karrierë të suksesshme profesionale.

Ajo çfarë e shquan në veçanti autoren edhe në këtë pjesë të jetës në mërgim, është malli brejtës, dashuria e freskët, e ruajtur me xhelozi, ndaj familjes, prindërve, vëllezërve, motrave, shoqërisë, por dhe atdheut, Kosovës.

Miqësinë e shëndosh me vendasit e arrin me punë përkushtuese, sjellje korrekte, përpikshmëri, respekt dhe integrim shembullor në shoqërinë zvicerane. Mosheqjen dorë me asnjë kusht dhe për asnjë çmim nga jetësimi i ëndrrave, e shndërron në parim themelor të jetës. Ndërsa këmbëngulja në të drejtën elementare; për trajtim të barabartë, njerëzor dhe të dinjitetshëm, si njeri dhe njëkohësisht edhe si femër, paraqet pikën më të fortë identifikuese të karakterit të saj prej femreje të guximshme. Rezultat i një përcaktimi të tillë dhe i një filozofie të tillë jetësore, është edhe botimi këtë vit i librit të saj nga Shtëpia Botuese e Zvicrës, njëra ndër më të njohurat, “Rotpunktverlag”. Ky është një satisfaksion, një dhuratë simbolike për të gjitha përpjekjet dhe privimet e saja, si në planin e ngushtë personal, ashtu dhe atë universal.

Libri “Bleibende Spuren” (“Gjurmë të përhershme”), është një kronikë e pasur me gjurmë të pashlyeshme, të përzgjedhura me një shije të pasur letrare, të një brezi të caktuar të luftëtarëve idealistë për Republikën e Kosovës. Pjesëtare e këtij brezi është edhe vetë autorja. Si i tillë, libri e pasuron si letërsinë dhe vlerat e saja humane të përgjithshme, ashtu edhe historiografinë, jo vetëm shqiptare, por edhe atë evropiane. Ndërsa lexuesit gjermanofonë ia bën të afërt, përmes tregimit të rrjedhshëm dhe të lehtë, dallimin mes dy kulturave, asaj shqiptare dhe zvicerane. Pas leximit të librit, lexuesi fiton po ashtu një pasqyrim më të qartë mbi luftën këmbëngulëse të femrës shqiptare. Kjo luftë, e zhvilluar në dy fronte; atë familjar, ku përballja zhvillohet me ligjet e pashkruara patriarkale, dhe atë të çlirimit nacional, përballë ndjekjes, shtypjes dhe dhunës së egër të pushtuesit, Serbisë, kurorëzohet me triumf, si qëllim final i ligjshëm i autores, vendit dhe popullit të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Enver Hoxhaj Informacioni është shndërruar në armë të fuqishme…