Anatomia e regresit

30 nëntor 2020 | 11:29

Altin N. Ademi

-Një kritikë për gjendjen e arsimit universitar në Republikën e Kosovës dhe një apel për reflektim

Ese e kritikës sociale

Prolog

Derisa po pija një kafe, më tërhoqi vëmendjen një diskutim për lëvdatë i dy personave, të cilët, për nga tema që i përcillte dukej që ishin studentë. Debati i tyre ishte i një rangu tejet kritik, ndaj një segmenti jashtëzakonisht të rëndësishëm për shoqërinë, arsimin dhe aspiratat kolektive e individuale që e shoqërojnë atë.
Fillimisht debati ishte përqendruar rreth modelit arsimor të Humboldit, të metave dhe konsideratave të tij në kushtet e shoqërive aktuale. Më tutje flitej për Taksonominë e Blumit dhe metodologjinë pedagogjike që deshifrohej në koncepte përmbajtjesore të mësimdhënies. Flitej për strukturën e librit shkencor dhe të vërtetave epistemologjike. Flitej pra me konsideratë për dimensionet qendrore që përbëjnë filozofinë e edukimit në tërësinë e saj.
S’do hamendje se një ekspozim i tillë përballë shtrimit të argumenteve të brezit të studentëve tonë, do të kishte qenë një përjetim jashtëzakonisht motivues dhe për tu krenuar me të. Por fatkeqësisht, dy të rinjtë dhe ai debat, nuk ekzistojnë ndryshe veçse si iluzion optik i shtruar këtu me qëllim, për të pasqyruar në terma kritik, ngrehinën që është kudo përreth nesh, e njohur si sistem i arsimit i Republikës së Kosovës.
Pra, në shikim të parë, në atë që do të mund të ishte potencial që gjendet e kultivohet tek secili i ri i kohës tonë, realisht mund të gjesh çdo reflektim ditor, veçse jo edhe atë lloj reflektimi që bën ftesë për t’u thelluar në kërkimin e të vërtetës, shkencës dhe rendit të gjërave me vlerë. Të rinjtë e Kosovës, sot arsimin e kanë një mundësi rrethanore që iu duhet për shkak të vlerës së supozuar të tij, por jo për shkak të vërtetësisë së matur të kësaj vlere të supozuar. Dhe kjo është risi që të vetmen gjë të re që sjell, është përmbysja e edhe asaj pak tradite të arsimit që është kultivuar më parë.
Historikisht e dimë se në saje të përhapjes së edukimit, kodet tona kulturore e kombëtare u shpërndanë tek secili pjesëtar i shoqërisë dhe u bënë kështu synim politik e social që kulmoi me shtet formim. Falë edukimit substancial të brezave, jo më pak ka ndryshuar edhe fizionomia ekonomike, arkitekturore dhe sociale e Kosovës. Këto breza edukues dhe të arsimuar, pavarësisht kushteve nën okupim, arsimin e shihnin si mision kombëtar më të gjerë sesa që mund të konceptohet sot.
Por arsimi si mision për çlirimin e njeriut dhe ngritjen e tij, dikur një vizion i qëndrueshëm e shpresëdhënës, sot është aq larg përmbushjes, saqë nuk mund ta konstruktosh dot një identitet të tij në realitetin aktual. Një gjë të tillë e kemi tashmë të konfirmuar edhe nga pulsi publik, edhe nga instrumentet matëse vendore e ndërkombëtare.
Se çfarë ka ndikuar në këtë devalvim të përgjithshëm të arsimit në Kosovë, nuk është në interesin e qytetarëve që paguajnë taksa, pasi që taksat e qytetarëve e plotësojnë parakushtin e organizimit të arsimit. Por se a është bërë arsimi në kushtet aktuale, një ngrehinë e frikshme dhe e pasigurte për t’u strehuar në të, kjo është mese evidente. Prandaj qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet përkohësisht, e akoma më me rendësi se kaq, për të ridrejtuar doktrinën e arsimit për të ardhmen.
Për shkakun se taksat e qytetarëve mundësojnë organizimin e arsimit, përgjegjësia për të rrjedhimisht është përgjegjësi organizative dhe ndër sektoriale, që sjellë në një korrelacion qeverinë si tërësi, tregun si diktues, akademinë si ndërgjegje dhe shkollarët si vija e parë e frontit dezertues. Prandaj është bërë e nevojshme që të shpalosën këto përgjegjësi, sepse arsimi sot gjendet në një udhëkryq të madh, nëse do të dalë shpresa për rimëkëmbjen e shoqërisë së Kosovës apo destinimi për dekompozimin socio-kulturor të saj.

1. Shkollarët

Do ishte i pavend siç është gjithmonë i pavend përgjithësimi, sikur të flitej në mënyrë të përgjithësuar për çdo frymë njeriu që ia mësynë studimeve, padrejtësia ndaj të cilit do bëhej me rastin e përfshirjes së tij si objekt i kësaj kritike sociale.Por do të ishte optimiste sikur të mos ta konsideronim modë, dukurinë e tëhuajsimit të arsimit kudo në hapësirën publike e private që i thuhet shkollë.
Përgjatë historisë së arsimit në Kosovë, kurrë s’ka pasur më shumë universitete publike dhe kolegje private, po aq sa kurrë më parë s’ka pasur shthurje publike e private të moralit që asocion me edukimin. Kurrë më parë s’ka pasur infrastrukturë shkollore të këtyre përmasave, po aq sa kurrë më parë s’ka pasur zbrazëti kuptimore brenda tyre.
Për qëllime analitike, referenca e shkollarëve ka përjashtuar grup moshat e reja, pasi që si kategori që e kanë jetën para vetës, ata ende kanë mundësi për të dalë nga ngrehina, natyrisht nëse ne përpiqemi t’ua vëmë në dispozicion mundësitë për të dalë nga ajo. Por nuk mund të përjashtohen shkollarët universitar në strukturën e tyre tripartite, studentët, profesorët dhe strukturat drejtuese universitare, si vija e parë e frontit që i kanë dhënë ngrehinës pamjen që ka sot. Kritika nuk synon po ashtu të distancojë ndonjë kategori studimesh brenda universiteteve publike e kolegjeve private, pasi që moda është e konstruktuar nga të gjitha palët pa përjashtim.
Duke kujtuar debatin fiktiv që shtrova në fillim, fatkeqësisht sot, studentët e degës së edukimit, siç të gjitha të tjerat brenda fushave të tyre përkatëse, jo vetëm që nuk shtrojnë dot këndvështrime debatuese mbi natyrën e gjërave që përcaktojnë filozofinë e edukimit, por mund të ndodhë që në tërë ciklin e tyre të studimeve, të mos kenë rënë ndesh me emra siç është Humboldt e Bloom. Në rastin më të mirë, ajo çfarë ata kujtojnë nga filozofia e arsimit është përsëritja memorizuese e skripteve të huazuara nga burimet elektronike, jashtëzakonisht kufizuese e të pa baza. Studentët përgjithësisht, përveç shkathtësive në komunikim në gjuhë të huaja si rezultat i relacioneve sociale, mbështeten në literaturë irrelevante të transplantuar si mos më keq.
Përveç kur ndonjë profesor që ka sjellë nga perëndimi një përvojë hulumtimi, të ketë sjellë me vete edhe ndonjë libër të vlefshëm për tu bazuar në të, struktura e ligjërimit akademik në universitete përgjithësisht, vazhdon të rrugëtojë e pa penguar dhe e mbështetur në skriptet që shiten masivisht nëpër dyqanet fotokopjuese. Libra ka, madje edhe libra voluminoz po se po. Por libra që flasin për segmente e që deshifrojnë përmbajtje që konsiderohen si të mirëqena për t’i nxitur studentët që të kultivojnë kompetencë, fare pak. Deri më sot, asnjë përpjekje nuk është bërë nga kuadri universitar për të ndërmarrë një hap serioz rreth këtij deficiti në literaturë. Mungesa e literaturës së përshtatshme akademike në gjuhën shqipe është vetëm një segment përmbysës i arsimit universitar. Segmenti i dytë i tij lidhet me interesin për hulumtim, i cili për studentët nuk ka shkuar më larg sesa qëllimi për të përmbyllur kursin me sukses.

Varfërimi i ligjërimit universitar është vërtetë shqetësues për kriteret që sot zbaton sistemi ynë shkencor krahasuar me Perëndimin. Do ishte një sfidë pa epilog sikur para grup moshave të studentëve tanë të shtroheshin kërkesa për të përcaktuar kornizën e argumentimit në çështje shkencore, jo vetëm ato që kërkojnë specializim të thellë por edhe ato që janë fundamentalisht të domosdoshme. Kushdo që e di, e njeh dhe e pranon si të tillë realitetin e arsimit dhe atë se ku është plandosur dija, e ka të qartë se sot një studenti universitar, nuk mund t’i kërkosh të debatojë mbi një bazë teorike e argumentuese në mënyrë autonome.
Për habinë tonë, autodidakti është ende shkëlqimi i vetëm i arsimit në Kosovë, ndërsa çdo produkt sistemor shihet me dyshim. Lere më që nuk mund të flasim për një shkollë vendore të mendimit. Aq keq kanë shkuar gjërat saqë dyshimin mbi arsimin, e kultivon sot edhe tregu, edhe institucionet, edhe shoqëria si tërësi, madje edhe ato biznese që drejtohen nga persona pa arsim fare.
Studentët dhe profesorët siç duket, kanë blerë një paqe solide mes tyre që përkthehet në status-quo. Pra, studentët duan të qarkullojnë, ndërsa profesorët duan të paguhen. Kur kjo formulë konvertohet në qëllim në vetvete, arsimi i nënshtrohet plotësisht marrëdhënieve klienteliste të llogaritjes. Në këtë drejtim, studentët llogarisin kalimin e kurseve si mjet për t’u katapultuar më tutje në jetë, ndërsa profesorët llogarisin numrin e madh të studentëve, si matje numerike që i demotivon nga përgjegjësia për të shpalosur dije dhe ballafaqim shkencor.
Kjo “marrëdhënie vrastare për arsimin” që zhvillohet në mes të studentëve dhe profesorëve të universiteteve në Kosovë nuk është e rastësishme. Ajo ushqehet pikërisht nga deficiti. Fundja, cili student që ka statusin e studentit por jo edhe edukimin e tij, do t’i rezistonte pasionit për të arritur diçka, kundrejt ballafaqimi të dinjitetshëm me virtytet që nuk shpërblejnë asgjë. Ngjashëm siç mund të themi, se cili profesor do insistonte për të edukuar, kundrejt modës së pasioneve të depërtimit me çdo kusht që mbizotëron plotësisht. Në terma më të thjeshtë po deshëm, cili student do zgjidhte të përballej me deficitin e tij studiues e intelektual, përballë një sistemi që ia mundëson mos ekspozimin e deficiteve. Apo në rastin tjetër, cili profesor do zgjidhte të përballej me standardet e tij, përballë sistemit që s’vlerëson dijen dhe meritokracinë, por tregun financiar të qarkullimit të taksave studentore.
Në këtë marrëdhënie, krahas para llogaritjeve kosto vs. benefit dhe shkathtësi vs. virtyt, ekziston edhe një segment tjetër, i cili në kushtet aktuale është dominues mbi të parat. Ky segment mund të përmblidhet kështu: Një student që s’ka dëshmuar shkathtësi shkencore e epistemologjike që e aftësojnë për të punuar në një profesion, përmes shmangies nga ballafaqimi me njohuritë që i ka, realisht amniston profesorin, i cili nuk është se ka diçka më shumë njohuri sesa subjekti i tij. Këtu gjendet masa më e madhe e ushqimit reciprok të kësaj marrëdhënie në mes shkollarëve tanë. Pra, nuk mund të kërkohet ekselencë nga studentët, përderisa një gjë e tillë shmanget nga vetë profesorët.

Në dukje, teksa moda e tillë qarkullon dhe i bën gjërat të shihen si rrjedhë normale e riprodhimit edukativ, përbrenda realisht gërryen dijen si ngritje e vetëdijes dhe emancipimit. Nga këto relacione janë ndërtuar kështu studentë që kanë status por jo edhe vlerë të përbrendshme që asocion me dijen, si dhe profesorë që kanë status por jo edhe angazhimin për të përhapur dijen dhe të vërtetën.
Ta paraqesësh këtë modë në tablonë e pikturës që shfaqë grumbullimin e armatës në fushëbetejë, tabloja do të kishte aktin e parë të përbërë nga gjeneralë të veshur me uniformë që drejtojnë kalorësinë drejtpërdrejtë në sulm përballë tankeve, si dhe aktin e dytë të ushtarëve të uniformuar që nisin një mësymje të përgjithshme të pajisur me pushkë pa fishekë. Një akt i tretë i kësaj tabloje pas një beteje të tillë, do përcaktohej nga fati individual i atyre që kanë mbijetuar, duke hedhur poshtë edhe uniformën edhe armët që s’iu shërbyen për asgjë. Ngjashëm janë sot profesorët dhe studentët përballë dijes, shkencës, e mbi të gjitha, përballë të vërtetës. Të parët, me tituj që iu garantojnë pozicionimin pavarësisht aftësisë së tyre për të manovruar në fushëbetejë, ndërsa të dytët, numra statistikor pa identitet, të cilët janë bërë peng të fatit e jo përgjegjësisë dhe shkathtësisë së tyre.
Këtë marrëdhënie anti-edukative, e forcojnë edhe më shumë strukturat drejtuese universitare dhe studentore. Parlamentet studentore dhe shoqatat studentore, janë imitim i parlamenteve politike dhe partive politike. Baza e rekrutimit të tyre është garancia për të qëndruar në modën e shkathtësisë, e jo ftesa për t’iu përvjelë parimeve të edukimit. Angazhimi i tyre është angazhim sipërfaqësor që në esencë drejton përshtatjen me sistemin e jo kundërvënien parimore ndaj tij. Mjafton që struktura e lidershipit studentor të ketë qasje të hapur në degët universitare sa për të lidhur vetën me strukturën universitare dhe në këmbim të kësaj lidhje, të legjitimojë vazhdimin e modës së dekompozimit të edukimit. Në vitet e pasluftës, nuk kemi parë një dhe një protestë gjithë studentore që për qëllim të vetin të kishte pasur kërkesën për rritjen e cilësisë në arsim. Edhe ato pak që kanë ndodhur, kanë qenë rebelime të sponsorizuara, kundrejt strukturave të sponsorizuara nga palët tjera.
Por jo më pak kësaj atmosfere i ka kontribuar struktura drejtuese e universiteteve. Për një drejtim komod e pa kokëçarje, dekanët, rektorët dhe drejtuesit e degëve universitare kanë akomoduar lidershipin studentor brenda procesit të vendimmarrjes, duke i legjitimuar ata si përfaqësues të denjë të studentëve dhe kërkesave të tyre, kështu që nga bashkëpunimi i tyre të arrihet një formulë funksionale e përmbushjes së interesave reciproke. Produkti i kësaj formule mund të përmblidhet në kontributin reciprok në atë mënyrë që liderët studentor përmes votës së tyre, ua mundësojnë strukturave universitare zgjedhjen e profesorëve, komisioneve, anëtarëve të senatit e më gjerë. Në këmbim, liderët universitar ua mundësojnë liderëve studentor akomodimin në vendimmarrje, që fatkeqësisht sot ka marrë tipar të ultë, nga përfitimi statusor e deri të ndërmjetësimi për nota. Ndërkaq nga bashkimi i kësaj marrëdhënie, struktura drejtuese e universiteteve blenë status quon, ndërsa struktura drejtuese e studentëve, bëhet adresë e suksesit për të gjithë studentët që pritet të votojnë në zgjedhjet e ardhshme studentore.
Pra një marrëdhënie thellësisht klienteliste është ndërtuar në mes strukturave drejtuese të studentëve dhe strukturave drejtuese universitare, lidhja e të cilëve e legjitimon modën. Përballë kësaj marrëdhënie klienteliste, viktima të përjetshme janë profesorët e denjë që dijen e shohin si vlerë që transmetohet e nuk shitet, si dhe studentët e denjë që dijen e shohin si vlerë që arrihet e nuk falet.

Kjo marrëdhënie ka prodhuar krizën e depërtimit në esencën e edukimit. Fakti se profesorët universitar dalin në skenë kryesisht kur komentojnë politikën ditore apo kur publikojnë punime për të cilat hedhen dyshime të autorësisë, paraqet sindromin e parë të kësaj krize depërtimi. Këtë mozaik e plotësojnë publikimet e librave dhe punimeve shkencore të tyre, e përbashkëta e të cilave është klisheja titulluese e cila përmblidhet në titujt që fillojnë me “Roli i…” si një klishe e vetëkuptueshme që na vetëdijeson se gjërat kanë role, ndonëse roli i tyre s’ka kurrfarë relevance me dijen, shkencën dhe kureshtjen shkencore. Një kritik do hamendësohej të gjente kuptimin e “rolit” aq të pranishëm në librat e punimet e profesorëve të universiteteve, e mbase nga kjo kureshtje do t’i shfletonte faqe për faqe, vetëm për të arritur në fund pa asnjë përfundim logjik, shkencor e argumentues.
Në këtë modë, relacioni mes shkrimit, leximit dhe argumentimit është i vakët, e nuk duhet të mendojmë më thellë se në çfarë gjendje është hulumtimi shkencor. Mbi këtë raport, në kuadër të mësimdhënies dhe mësim nxënies që zbatohet në universitete, procedura formale dominon mbi përmbajtjen. Studentët vijojnë ligjërata të cilat ju duken të pakuptimta, pa interes, pa kureshtje dhe pa motiv për tu thelluar në to. Profesorët vijojnë ligjëratat, të cilat ju duken si performancë e aty për atyshme përballë një grumbulli mosmirënjohës studentësh, që s’kanë kureshtje, s’kanë motiv dhe s’kanë interes për të mësuar prej tyre. Të dyja palët e dinë se në fund të ciklit të ligjëratave do ballafaqohen në provim, i cili për shkak të shumësisë së pjesëmarrësve të tij, është i gjeneralizuar dhe nuk synon të kultivojë dijen dhe specializimin, as veçimin dhe dallimin.
Kjo modë bashkë ushqyese dhe e dyanshme, stimulon studentët për t’u fokusuar në testim, në vend të fokusuarit në dije, si dhe stimulon profesorët për të ushtruar autoritetin e testimit në vend të ushtrimit të autoritetit të dijes. Kështu që testi bëhet aureola e krejt asaj për çfarë funksionon një universitet dhe një program studimi. Bëhet mjet dhe qëllim në vetvete, strukturalisht i ndërtuar, proceduralisht i vërtetuar dhe përfundimisht pa domethënie.
Moda rrjedhimisht, është modë e dyshimeve. Secili dyshon në verifikimin e dijes, deri në atë shkallë sa fare të mos besojë në të. Dyshimet përcillen tek mësuesit që kanë mbaruar studimet, e konsiderohen jo kompetent për të mësuar brezin e ri. Përcillen tek mjekët që ushtrojnë profesion, gjithmonë të kontestuar nëse janë të aftë për ta bërë një gjë të tillë. Përcillen tek burokratët, juristët, avokatët, policët, gjyqtarët e prokurorët, që përbëjnë segmentet vitale të një shoqërie, të cilët shihen si rezultat i modës dhe jo vlera garantuese për tu mbështetur në to.
Implikimet e arsimit dhe pasigurisë në të cilën ai ka rënë, janë aq të mëdha dhe natyrisht se trazojnë shoqërinë si tërësi. Por për habi, një mrekulli transplantuese për ndryshmin e kësaj gjendje është asgjë më shumë sesa përkufizimi i mrekullive që s’kanë për të ndodhur. Një zgjidhje ndaj këtij problemi rrjedhimisht, nuk mund të eksportohet. Ajo duhet kërkuar si diçka burimore që zë vend pikërisht aty ku moda e ka spostuar dijen. Prandaj, përgjegjësia e profesorëve dhe studentëve që mësyjnë universitetin është e madhe. Nga ta kërkohet rezistenca e parë përballë ngrehinës. Nga ta kërkohet të themelojnë vlera e ta sfidojnë modën. Nga ta kërkohet të ndërtojnë autoritetin e dijes, si vlerë për të cilën duhet luftuar. Prandaj dezertimi i tyre përballë dijes duhet të marrë fund. Pagat e profesorëve mund të jenë gjithmonë më të mira, por nuk janë në rangun që të nxiste një devalvim të tillë të sistemit universitar të arsimit, ngjashëm si kushtet e studentëve që sot janë optimale. Respekti për ta, nuk mund të fitohet ndryshe, veçse kur ata e fitojnë atë me punë. Ftesa e parë për reflektim rrjedhimisht, ju bëhet atyre.
Natyrisht se një reflektimi të tillë do të duhet t’iu përgjigjen edhe strukturat drejtuese të universiteteve. Sepse një strukturë drejtuese universitare që ushqen modën e devalvimit kundrejt misionit për ngritjen e vetëdijes përmes arsimimit, ose duhet të reflektojë thellësisht, ose duhet t’i hapë rrugë atyre që e duan autoritetin e dijes, e jo pushtetin që ushtrohet në emër të saj.

2. Ndërgjegjja akademike

Ku do kishte qenë njerëzimi, sikur njerëzit e devotshëm ndaj dijes dhe progresit shkencor e human, të kishin heshtur përballë arbitraritetit të pushtetit e irracionalitetit të dogmave. Por ata që e dinë vlerën e dijes, nuk mund të rrinë indiferent përballë naivitetit dogmatik dhe as arbitraritetit të pushtetit. Përgjegjësia e tyre është përgjegjësi fisnike që rëndom nuk i shpërblen bartësit e saj, veçse njerëzimin në përgjithësi. Pra, për bartësit e dijes që janë konfirmuar përmes zbulimit e progresit shkencor e social, ekziston një ndërgjegje sovrane që s’nënshtrohet ndaj rendit të gjërave, e cila ndërgjegje ka rrugëtuar me shekuj dhe ka kulmuar në ekselencën e dijës, në atë që në kulturën tonë e njohim si kulmin e inteligjencës së një kombi, akademinë.
Akademia e Shkencave dhe Arteve rrjedhimisht, do të duhej të ishte çdo gjë tjetër veçse jo një objekt me xhama, në të cilin bëhet garë për dominim në mes atyre që janë në katin e parë dhe atyre që janë në katin e dytë. Fundja, edhe një garë dominuese mes tyre do kishte pasur kuptim sikur subjekti i saj të tejkalonte vetë idenë e dominimit. Por Akademia tek ne është pikërisht, një zgjatje hierarkike e modelit të njëjtë që i karakterizon sot universitetet tona. Ndërgjegjja e saj nuk merret me çështjet vitale që i duhen kombit, siç është arsimi universitar. Ajo nuk merr mundin të elaborojë gjendjen në arsim dhe të ofrojë pikëpamje të tejkalimit të kësaj gjendje. Ajo nuk analizon se sa humbje ekonomike i shkaktohet vendit nga modeli aktual i arsimit. Nuk ka interesim për të kuptuar se pas cilës së vërtetë shkohet sot në universitetet tona. Nuk merr mundin të bëjë një hulumtim dhe t’ia dorëzojë qeverisë, si përgjegjëse për të vënë në jetë një model më të mirë të arsimit sesa ky që e kemi aktualisht. Me këtë indiferencë përballë realitetit gllabërues, ajo madje ka humbur edhe respektin e vet si një agjens i inteligjencës kombëtare dhe s’përfaqëson asgjë më shumë se një objekt me xhama, në të cilën akomodohen njerëzit e devotshëm ndaj status quosë. Kjo mungesë ndërgjegje ndaj arsimit dhe gjendjes së tij, është dezertimi i dytë përballë ngrehinës së sistemit arsimor në Kosovë.

Por Akademia nuk është dosido, një strukturë dhe objekt me xhama. Ajo mund dhe do të duhej ta tejkalojë veten e saj, sepse vetë ekzistenca e saj siç na e imponon neve ta konceptojmë, ia imponon asaj që të bëhet bartëse e një rangu frontal debatesh e diskutimesh që i shtrojnë gjërat ashtu siç janë. Prandaj ajo duhet t’i rezistojë plakjes dhe “lordshipit” simbolik. Akademia nuk mund edhe më tej të shërbejë si një “klub honorifik”, sepse përgjegjësia e saj nuk është vetëm përgjegjësi ligjore. Përgjegjësi më e madhe sesa ajo që e përcakton ligji, është forca morale që duhet të vejë në lëvizje çdo përgjegjësi tjetër, edhe atë ligjore. Askujt nga jashtë më shumë se Akademisë, nuk i takon të përfshihet konstruktivisht me pikëpamje se si mund të ndryshohen gjërat për të mirë. Një rast të tillë nuk do duhej ta lëshonte një brez akademikësh që jetojnë në të njëjtin realitet me qytetarët e zakonshëm të Kosovës.
Akademia e Shkencave dhe Arteve, i ka dhënë vendit politikanë, deputetë, ministra e kryeministra. Pjesëtarët e saj kanë qenë të aftë të mbijetojnë në dy sisteme e regjime të ndryshme. Ata duhet të tregohen të aftë edhe ndaj këtij apeli, për t’i dhënë shoqërisë një përgjigje se si të dilet nga kjo ngrehinë.

3. Tregu

Sfera ekonomike e Kosovës ka pësuar tri transformime dhe modele përgjatë 100 viteve të fundit. Nga një sistem agrar ku njohuritë kalonin në mënyrë trashëguese në formë të zanatit, përmes një sistemi industrial ku njohuritë buronin nga edukimi profesional dhe zhvilloheshin në praktikë nëpër fabrika, tek një model i tregut i bazuar në konsum e shërbime, të cilit i duhen dije të specializuara. Pra tregu sot, kërkon specializim kundrejt përgjithësimit.
Por çfarë roli ka tregu në ngrehinë? Së pari në parim, tregu nuk absorbon çdo gjë nga të diplomuarit. Ai drejtohet nga interesi i përfitimit e jo nga motivet utilitare. Rrjedhimisht, për të zënë vend në të, të diplomuarit duhet të jenë të specializuar në dijen e tyre. Por përderisa një specializim i tillë nuk mundësohet nga sistemi i arsimit, tregu është i prirur të zhvlerësojë kandidatët përmes një marrëdhënie pronësie mbi ta, në këmbim të një page tejet spontane. Meqenëse tregu drejtohet nga interesat private, të cilat në realitetin aktual kryesisht mirëmbahen nga interaktiviteti me sferën shtetërore, inovacioni, ndërmarrësia dhe zhvillimi teknologjik kësisoj, bëhen të zëvendësueshme nga sponzorizimi që sfera shtetërore i bën tregut.
Kjo marrëdhënie në mes tregut dhe sferës shtetërore si burimi parësor i gjenerimit të kapitalit, e ulë rendimentin e kërkesës për specializim e inovacion. Prandaj mjafton që tregu të punësojë studentë që bartin funksione të zakonshme pune pa ndonjë specifikë. Kështu, tregu i nënshtrohet përkufizimit etatist dhe jo dinamikës së natyrshme të tij. Dëmi që i shkaktohet me këtë rast raportit në mes dijes dhe tregut është jashtëzakonisht i madh. Kështu pra, për të qenë profitabil dhe moskokëçarës, tregu mjafton për të korresponduar me modën, duke u bërë hallka e tretë e dezertimit.

Por kjo përgjegjësi e tregut duhet adresuar dhe duhet të kërkohet me ngulm. Në botë kemi parë shumë raste se si një raport mes tregut dhe dijes do të duhej të mirëmbahej. Singapori, Finlanda, Estonia e Irlanda janë disa prej tyre. Sot, Singapori është vendi me standardet më të larta në arsim. Një prej vendeve në të cilin studiojnë nga e mbarë bota, të gjithë ata që duan ekselencë në matematikë dhe shkencë. Ky sukses i Singaporit, rrjedh prej faktit se shteti dhe tregu e kanë parë edukimin si një mision sistematik i ngritjes dhe zhvillimit kombëtar. Pra në universitetet e Singaporit, janë investuar meritokracia, përgjegjësia dhe kultura e kompetencës. Në një periudhë rekord, ky investim i duhur e ka bërë këtë vend ish moçalor në një referencë globale të zhvillimit.
Kështu që agjensëve të tregut, duhet t’ua kërkojmë konsideratën për të rishqyrtuar sjelljen e tyre në mënyrë që t’i japin një mundësi dijes dhe specializimit, sepse nga një brez i ditur do përfitojë e gjithë shoqëria, por fitimet më të mëdha do t’i ketë vetë tregu në mënyrë të veçantë. Një gjë e tillë e kemi të konfirmuar nga ato pak resurse humane që sot shesin shërbimet e tyre në botën perëndimore. Si model, tregu ynë është i pakrahasueshëm me atë perëndimor por në atë perëndimor zënë vend shkollarët tanë që kanë specializim, ndërsa në këtë tonin, zënë vend masa e të gjithë studentëve të papunë.

4. Politika

Të gjitha palët dezertuese ndaj arsimit, gjenezën dhe kulmin e kanë tek institucionet dhe politika, si dezertuesit kapital përballë kësaj kauze. Mund të gjenden shumë arsye të këtij dështimi ndërveprues por një është kryefjalë përmbledhëse e tij: Konfigurimi politik i shtetit tonë dhe relacionet e politikes me elitën intelektuale, kanë zënë vend në kushte të një ambienti eksploatues ndaj njëri-tjetrit.
Profesorët që përfaqësonin rrafshin intelektual të shoqërisë, do konvertoheshin në vlerë civile ndaj politikanëve që përfaqësonin rrafshin politik të saj. Emancipimi politik përmes bashkimit të këtyre dy kategorive, ka nxitur mësymjen e politikanëve drejt profesorëve dhe mësymjen e profesorëve drejt politikanëve. Struktura kryesore e partive politike të Kosovës edhe sot e kësaj dite i ka rrënjët në universitet. Nuk është aspak e habitshme se nga një bashkim i tillë i nxitur nga interesi reciprok e jo nga vlerat ndarëse që bashkëjetojnë dhe stimulojnë njëra tjetrën, politika do ta dominonte dijen dhe do ta nënshtronte atë plotësisht.
Për të qenë i qartë, ne jemi dëshmitar se çdo të thotë për një shoqëri, kyçja e elitës intelektuale në proceset politike. Shumica e elitës në periudhën e Jugosllavisë, ishte konservuese e atij rendi. Por mjaftoi që disa profesorë që i numëroje në gishta, të ishin këmbëngulës në idetë dhe projektet politike të lirisë e pavarësisë. E kemi parë me 1981-tën, e deri tek 1999-ta. Edhe pse shumica e elitës së asaj kohe i shërbente pushtetit jugosllav, ajo shumicë kapitulloi me rënie të lirë, përballë një pakice fare spontante profesorësh që kultivuan idenë e rrënimit të regjimit komunist në Kosovë. Pra, potencialet intelektuale edhe pse fare pak, kanë pasur fuqi që të dalin kundër rendit të atëhershëm shtypës, si potencial për çlirim e emancipim. Por fatkeqësisht sot, ky potencial është vënë në mbrojtje dhe konservim të rendit tashmë të dëmshëm e regresiv, veçmas kur flasim për gjendjen e arsimit.
Kështu pra, bashkë dyzimi i petkut politik me atë intelektual ka nxjerrë në pah atë që është përkthyer ndër vite në politika mbi arsimin që janë zbatuar nga qeveritë e një pas njëshme. Në kuadër të këtyre politikave kanë dominuar dy sfera: Ngritja e infrastrukturës dhe botimi i teksteve. Në radhë të parë, asnjë vend s’ka pasur më shumë nevojë se Kosova për infrastrukturë shkollore. Është e matur se parakusht për zhvillimin e arsimit është edhe infrastruktura edhe tekstet mësimore. Nëse ka diçka për çfarë duhet ta duartrokasim politikën, është pikërisht përkushtimi për ta mundësuar infrastrukturën dhe kurrikulën. Por kjo është vetëm domosdoshmëria. Jo edhe siguria e asaj se çfarë ndodhë brenda tyre, e me to.

Së pari, infrastruktura është kusht i jashtëm dhe para se të cilësohet si një politikë e mirëfilltë mbi arsimin, ajo në esencë nuk kërkon ndonjë politikë të veçantë arsimore, veçse përcaktim për ndarje fondesh për të plotësuar një nevojë publike. Së dyti, botimi i teksteve shkollore si reflektim i përshtatjes së inovacionit shkencor me kurrikulën që duhet të transmetohet në ambientet shkollore, do kishte qenë një politike e mirëfilltë arsimi, veçse në Kosovë, ajo është instrument i ndryshimit e zëvendësimit të teksteve shkollore si shkak i presionit të shtëpive botuese dhe lobuesve të tyre. Jashtë kësaj, politikën mbi arsimin nuk e kemi parë të përqendruar në përmbajtje.
Ajo çfarë është paraqitur si proces reformues e standardizues nga ana e politikës, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një përshtatje ndaj projekteve të huaja, pjesa më e madhe e fondeve të së cilave është kthyer në vendet e financimit përmes “mafisë së konsulencës”. Në marifetet e konsulencës të diktuara nga projektet e shkruara e të përcaktuara nga donatorët, themelohej një shpërputhje e gjithanshme e realitetit me reformën. Termat e referencës që ishin shkruar dhe kishin pritur aprovimin për vite me radhë në zyrat e Bashkimit Evropian e gjetke, do fillonin të zbatoheshin në një realitet tërësisht të ndryshëm nga ajo çfarë kishin paraparë projektet. Në to rrjedhimisht, nuk zinte vend qendror nevoja për emancipim dhe ndërtim të autoritetit të dijes e kompetencës, por raporti se projektet po zbatoheshin. Kështu që kur partnerët e jashtëm e kritikojnë gjendjen e arsimit në Kosovë, nuk mund të mos ta ndjejnë peshën e jashtëzakonshme të fajit dhe përgjegjësisë së tyre. Jo për shkak të financimit, sepse edhe sot dhe pas dhjetë vitesh arsimi në Kosovë do ketë nevojë për financim, por sepse ky financim, të vetmin sukses e ka pasur në raportet financiare të shpenzimeve të parapara.

Pra në përgjithësi, politikën mbi arsimin për vite me radhe e kemi parë në trend regresiv. Ajo nuk ka ushtruar funksionin e mbikëqyrjes si masë e preventives. Nuk ka shqyrtuar relacionet e tregut me dijen dhe as ambiciet para të cilave kanë funksionuar agjensët ndërveprues të saj. E ka lënë hapësirën universitare si një hapësirë që ekziston sa për të përmbushur funksionin e saj të nevojës publike, pa shqyrtuar përbërjen e saj dhe avancimin që i duhet në botën e diktuar nga konkurrenca. Me ligj, ka përligjur prirjen drejt komercializmit të interesave, veçmas në drejtim të atyre private. Kolegjet të cilat do të duhej të ekzistonin për shkak të cilësisë që ofrojnë, në fakt, ekzistojnë për shkak të hyrave që gjenerojnë, të cilat i mbajnë si profit i pa tatueshëm për vete, ndonëse me ndonjë pagë që shpërblejnë vetë akterët e politikës që në fund të mandatit shpesh katapultohen si mësimdhënës pranë tyre.
Partitë politike deri më tani, edhe ato që kanë qeverisur edhe ato që kanë dashur të qeverisin, e kanë parë hapësirën universitare kryesisht si ambient rekrutimi. Ato nuk kanë marrë mundin të përballen me dekadencën. Në fakt, do ishte mirë sikur ato të mos merrnin mundin fare të penetronin këtë hapësirë, sepse dekadenca është në masë të madhe e lidhur me depërtimin e tyre në të. Dezertimi i katërt me radhë e rrjedhimisht më i madhi që është evident dhe prezent edhe sot e kësaj dite, ka ndodhur nga marrëdhënia eksploatuese në mes të universitetit dhe politikës ndaj njëra tjetrës.

Pra, në këtë cikël prej katër faktorësh, shkollarëve, akademisë, tregut dhe politikës, dhe përmes ndërveprimit ose mungesës së ndërveprimit të tyre, apo në rastin më të keq, ndërveprimit të dëmshëm në mes tyre, gjendet shpjegimi i anatomisë së regresit të arsimit në Republikën e Kosovës. Këto diktime të realitetit dhe interaktivitetit të dëmshëm kanë ndikuar në ç’thurjen e perspektivës së edukimit si agjens i vlefshëm e i përgjegjshëm. Prandaj, nuk mund të amnistohet qasja e deritanishme klienteliste e subordinuese e dijes ndaj politikës. Por amnistia ose jo, nuk është zgjidhje.

Për të dalë nga ngrehina, vendit i duhet një politike jashtë partiake për arsimin. I duhet një politike kombëtare ndaj tij, që i japë hapësirë parimit të avantazhit, kompetencës dhe ekselencës. I duhet një politikë që hapësirën universitare dhe çdo kënd që graviton në të, e nxitë të hapet përballë botës së konkurrencës që bazohet në të arritura shkencore e rezultate të matshme. Për një qasje të tillë, edhe institucionet, edhe akademia, edhe shkollarët, edhe tregu duhet të japin kontributin e vet. Fundja, çdo humbitnim më shumë se ç‘kemi humbur tashmë.

5. Ftesa për reflektim

Pse jemi keq me arsimin në përgjithësi dhe atë universitar në veçanti është tashmë një fakt objektiv. Se a duhet toleruar edhe më tej kjo gjendje, kjo varet se si vendosim t’i përgjigjemi këtij fakti.
Ndonëse një realitet i tillë është i kudondodhshëm, jo vetëm në Kosovë por në të gjitha vendet përreth, e madje është evidente se integriteti i dijes është cenuar edhe në shtetet me traditën më të madhe në këtë fushë, shqetësimi ynë lidhet me atdheun tonë në radhë të parë.
Ajo çfarë ka zënë vend në këtë kritikë, nuk është shpikje, as vepër letrare dhe as një kritikë sociale e shtruar me shkas të keq. Nuk më bën nder deshifrimi regresit që hasim, aq sa do më nderonte ekspozimi i progresit që e duam. Por kjo përsiatje megjithatë është bërë e pashmangshme, si konstatim i anatomisë së regresit që e hasim kudo dhe e dimë të gjithë, pavarësisht se a duam ta pranojmë si të tillë. Por meqenëse ndërmarrësia përballë saj është ndërmarrësi e përbashkët, askush individualisht dhe më së paku unë, nuk mund të bëjmë më shumë, sesa të shtrojmë një ftesë solide për të gjithë ata që posedojnë kode për t’i lëvizur gjërat në drejtimin e duhur.
Kjo pra është një ftesë për profesorët që të reflektojnë e të rimarrin autoritetin që u takon. Është ftesë për studentët që të marrim përgjegjësi për të përcaktuar mënyrën e drejtë të marrjes së dijes që ju duhet. Është ftesë për Akademinë që të dalë jashtë objektit të saj e të shohë këtë virus social dhe t’i kundërvihet me alternativë. Është ftesë për tregun që të hapet e fillojë të shpërblejë dijen dhe specializimin, aq të nevojshme për shoqërinë. Është ftesë për institucionet që rreth arsimit të ndjekin politikë kombëtare kundrejt politikës partiake. Mbi të gjitha, është ftesë për t’i pranuar gjërat ashtu siç janë, në mënyrë që bashkërisht t’iu japim zgjidhjet që iu duhen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes…