Ancelotti: Arsenali e meritoi kualifikimin, duhet të luftojmë për trofetë e tjerë
Real Madridi është eliminuar nga Liga e Kampionëve. Trajneri Carlo Ancelotti ka thënë se pas këtij zhgënjimi skuadra duhet të ringrehet dhe të lufton për La Liga, Kupën e Mbretit dhe Kupën e Botës për klube.
“Tani jemi në garë për La Ligan, kemi përpara finalen e Kupës së Mbretit, Kupën e Botës për Klube… Është një sezon i pafund, por duhet të ngrihemi sërish. Është një pjesë tjetër e futbollit të cilën nuk jemi mësuar ta përjetojmë. E ardhmja ime? Nuk e di çfarë do të ndodhë dhe nuk dua ta di”, ka thënë Ancelotti, i cili e ka pranuar se skuadra e Arsenalit e ka merituar kualifikimin në gjysmëfinale.
“E zhvilluam mirë ndeshjen, pati shumë ndërprerje. Na duhej një moment ndezjeje, ajo penallti që nuk na u dha mund të ishte ky moment. Sidoqoftë, Arsenali e meritoi kalimin e raundit. E provuam, por të rikuperonim rezultatin 3-0 ishte e vështirë. Arsenali ishte shumë mirë i organizuar. Duhet të pranojmë edhe anën e trishtuar të futbollit, sepse sezoni vazhdon. Në këtë kompeticion kemi pasur shumë kënaqësi, por këtë vit nuk shkoi mirë. Rruga deri këtu ishte e vështirë, në çerekfinale patëm përballë një skuadër që ishte më e mirë se ne”, ka shtuar Ancelotti.
Për të ardhmen e tij ka nisur të flitet shumë, derisa strategu italian e ka konfirmuar se nuk ka asgjë të re. “Asgjë e re. Të dielën kemi një tjetër ndeshje, pas 10 ditësh finalen e Kupës së Mbretit, në verë Kupën e Botës për Klube dhe jemi ende në garë për kampionatin. Kam shumë gjëra për të menduar, më tepër se për këto hollësi”, ka përfunduar Ancelotti.



