Anketa e D4D-së: Kurtit i bie vlerësimi në popull, qeveria e tij cilësohet e dobët

17 nëntor 2021 | 12:58

Qytetarët nuk janë shumë të kënaqur me Qeverinë e Kosovë, e cila drejtohet nga kryeministri Albin Kurti. Sipas një ankete të zhvilluar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) gjatë muajit shtator, 38.7 për qind e të anketuarve e kanë vlerësuar si të dobët ose shumë të dobët Qeverinë Kurti.

D4D-ja ka bërë me dije se Qeverinë Kurti e kanë vlerësuar si të mirë ose shumë të mirë vetëm 32.3 për qind e të anketuarve, ndërsa 29 për qind e tyre e kanë vlerësuar punën e kësaj qeverie si të “mjaftueshme”.

Sipas matjeve të Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D), 52.1 për qind e qytetarëve të punësuar në sektorin publik e kanë vlerësuar performancën e gjashtëmujorit të parë të qeverisë si të “dobët” apo shumë të “dobët”. Ndërsa 38.1 për qind  e të anketuarve që janë të punësuar në sektorin privat, e kanë vlerësuar performancën e gjashtëmujorit të parë të Qeverisë Kurti si të “dobët” apo “shumë të dobët”.

“Lëvizja Vetëvendosje arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, duke fituar 50.3 për qind të votave. Kjo ishte hera e parë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 që një parti politike tejkaloi 50 përqindëshin e votave dhe ishte në gjendje të formonte një qeveri pa pasur nevojë për një partner koalicioni. Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka zhvilluar një anketë gjatë muajit shtator për të kuptuar qëndrimet e qytetarëve rreth gjashtë mujorit të parë të qeverisë Kurti”, ka njoftuar D4D, duke publikuar edhe një infografikë nga anketa e realizuar.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e ka zgjuar nga gjumi duke i dhuruar puthje…