Apostolova: Kosova duhet t’i shtojë përpjekjet kundër ekonomisë joformale

09 korrik 2019 | 14:13

Nën udhëheqjen e ministrit të Financave, Bedri Hamza, njëherësh edhe koordinator nacional për Programin për Reforma në Ekonomi, është mbajtur të martën takimi lancues për Programin për Reforma në Ekonomi 2020-2022, ku morën pjesë edhe udhëheqësja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministrat përkatës, përfaqësues të ministrive të përfshirë në këtë proces, përfaqësues të Komisionit Evropian, ambasadave të vendeve anëtare të BE-së si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Në fjalën e tij ministri i Financave, Bedri Hamza, ka theksuar se në këtë proces, institucionet që janë pjesë e kësaj trupe kanë bërë një punë të madhe në forcimin dhe avancimin e këtij dialogu.

Ai ka thënë se vlerësimet që kanë pranuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian kanë qenë mjaft pozitive. “Me këtë po dëshmohet se Kosova e kupton rëndësinë dhe rolin e procesit të qeverisjes ekonomike si një nga shtyllat kryesore të zgjerimit dhe si përgatitje për pjesëmarrjen eventuale në Semestrin Evropian”, ka thënë Hamza.

Ai ka kërkuar që të ketë zhvillim edhe më të madh në ngritje të kualitetit të dokumentit edhe në të ardhmen, ku Kosova si vend duhet të paraqes zotimet për reformat e nevojshme strukturore për t’i përmbushur kriteret ekonomike të cilat janë kërkesë kyçe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe të cilat janë të përcaktuara me kriteret e Kopenhagës.

“Ne duhet të demonstrojmë se zbatimi i reformave nuk prek qëndrueshmërinë financiare në periudhën afatmesme, dhe të jenë të përballueshme për buxhetin dhe në këtë mënyrë të mundësojnë bazë solide për funksionim efektiv të ekonomisë në tregun afatgjatë”, është shprehur Hamza.

Ai gjithashtu ka theksuar se dialogu ekonomik dhe financiar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke u bazuar në Programin e Reformës Ekonomike 2019-2021 ka nxjerr dy dokumente bazë: vlerësimin e Komisionit Evropian dhe konkluzionet e përbashkëta të miratuara në kuadër të takimit ministror të datës 17 maj, ku sipas tij të dy këto dokumente kanë vlerësuar gjendjen reale të ekonomisë në Kosovë por edhe kanë prezantuar sfidat kryesore, adresimi i të cilave do të eliminonte disa barriera kyçe për rritje ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ministri Hamza në fjalën e tij ka përmendur edhe sfidat si aktivizimi ekonomik dhe punësimi sidomos i femrave dhe të rinjve, ndërlidhja mes arsimit dhe tregut të punës, formatizimi i ekonomisë, shfrytëzimi i potencialit të burimeve të ripërtëritshme dhe kursimeve të energjisë, si dhe hapja e plotë e tregut të energjisë.

Ministri Hamza e përmbylli fjalën e tij me dy kërkesa për të pranishmit. “E para ne si vend duhet të bëjmë prioritizimin e duhur për të adresuar barrierat kyçe ekonomike të identifikuara dhe e dyta ka të bëjë me zbatimin dhe duke siguruar përzgjedhjen e prioriteteve të duhura dhe ndërlidhjen e mirë të tyre me kornizën makrofiskale, ne të sigurohemi për një zbatim të mirëfilltë të reformave strukturore”, ka thënë Hamza.

Ndërsa shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, vuri në dukje faktin se duke marrë pjesë në stërvitjen e ERP, Kosova dhe Ballkani Perëndimor pasqyrojnë procesin e Semestrit Evropian.

“Qeverisja ekonomike i përket bazave të politikës së zgjerimit dhe prandaj është prioritet kryesor në dialogun tonë me Kosovën. Është e rëndësishme që Kosova të shtojë përpjekjet e saj në luftën kundër ekonomisë joformale, ruajtjen e disiplinës fiskale, reformat energjetike dhe përmirësimin e kushteve të tregut të punës për gratë dhe të rinjtë në veçanti. Zbatimi i këtij udhëzimi për politika kërkon jo vetëm përpjekje në emër të organeve zbatuese, por gjithashtu edhe angazhim të fortë politik. Vetëm kjo mund të sjellë ndryshime dhe përparim real në terren, duke mbështetur përfundimisht zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e mundësive të punësimit për popullin e Kosovës”, ka thënë Apostolova.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri medalje i ftuan tri xhudistet kosovare, në Lojërat Evropiane…