Arifi: Bojkotimi i zgjedhjeve në Luginë të Preshevës u bë për shkak të Kurtit

18 dhjetor 2023 | 16:13

Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi, ka fajësuar kryeministrin i Kosovës, Albin Kurti për daljen e ulët në zgjedhje të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ai ka shkruar në “Facebook” se procesi zgjedhor është bojkotuar pasi Kurti ka përçarë spektrin politik në Luginë të Preshevës.

“Kjo, si pasojë e përfshirjes së kryeministrit Kurti, i cili ka përçarë spektrin politik shqiptarë në Luginë në dy lista për garën në zgjedhjet parlamentare. Si rrjedhojë, një shumicë e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë, mbi 60 mijë zgjodhën bojkotimin e zgjedhjeve si formë proteste ndaj spektrit politik në Preshevë dhe Bujanoc”, ka shkruar Arifi.

Sipas tij, injorimi dhe neglizhenca e takimeve me krerët e Shqipërisë, janë përgjegjësi morale dhe kombëtare të cilën do ta bartin përgjatë historisë Shaip Kamberi dhe Albin Kurti.

Për Arifin, që sipas rezultateve preliminare mori pak vota në këto zgjedhje, ky proces zgjedhor është prapakthim për shqiptarët në Luginë, e sipas tij, jo vetëm për shkak të përçarjes, por edhe të përfaqësimit të ulët të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve, kandidati për deputet, Shaip Kamberi, e ka fituar edhe një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Gjatë fushatës zgjedhore në Luginë të Preshevës, kryeministri Kurti e ka përkrahur Kamberin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar edhe nga…