Armenët hyjnë në ndërtesën e kuvendit, e rrahin kryetarin

10 nëntor 2020 | 08:48

Protestuesit armenë i kanë sulmuar ndërtesat qeveritare në kryeqytetin e Armenisë, Yerevan, pas zemërimit që shpërtheu kundër marrëveshjes së paqes, me të cilën synohet t’u jepet fund luftimeve me Azerbajxhanin në rajonin Nagorno-Karabak.

Qindra njerëz dolën në rrugë pak kohë pasi kryeministri armen Nikol Pashinyan njoftoi për atë që e quajti marrëveshje të dhimbshme, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

Në rezidencën zyrtare të kryeministrit Pashinyan u thyen xhamat e dritareve, ndërsa protestuesit ia hoqën shkronjat e emrit nga dera kryeministrit dhe u dëgjuan duke brohoritur “Nikoli na ka tradhtuar”.

Policët vetëm shikonin përderisa protestuesit, në mesin e të cilëve kishte edhe veteranë të ushtrisë që kishin veshur uniforma, hynë në zyrat qeveritare ku bërtisnin dhe mbanin fjalime me zemërim.

Protestuesit arritën të futen edhe në ndërtesën e kuvendit. Kryetari i kuvendit, Ararat Mirzoyan, u gjend në turmë dhe u rrah nga një grup i dhunshëm protestuesish derisa i humbi vetëdija. Kjo dhunë erdhi pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me Azerbajxhanin, e ndërmjetësuar nga Rusia. Përmes kësaj marrëveshje, Azerbajxhani i siguron shumë nga koncesionet që i ka kërkuar për dekada të tëra.

Sipas kësaj marrëveshjeje, forcave armene u bëhet thirrje që ta dorëzojnë kontrollin në disa zona që kanë pasur jashtë kufijve të Nagorno-Karabakut, përfshirë distriktin lindor të Agdamit. Armenët gjithashtu do ta dorëzojnë rajonin Lachin, nëpër të cilin kalon rruga kryesore që e lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë. Kjo rrugë do të ruhet nga rreth 2 000 paqeruajtës rusë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, thotë se nuk…