ARRATISJA E KRYEPROKURORIT SMITH

22 mars 2023 | 16:41

Nga prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, e quajtur e Kosovës, me seli në Hagë, ka dhënë dorëheqje nga detyra, duke u ngarkuar me një detyrë tjetër – këshilltar për prokurorët që po e hetojnë veprimtarinë e ish-presidentit të ShBA-së, Donald Trump. Domethënë, ai u emërua në një detyrë formale, thjesht për të mos u deklaruar se u arratis i turpëruar nga detyra e tij në Hagë.

Por, vërtet, a u arratis prokurori Smith?

Vetëm kush nuk do ta shikojë të vërtetën nuk e kupton këtë arratisje të turpshme!

Të vish nga ShBA-ja, ta bësh të fortin e pathyeshëm, të krijosh idenë se je ai që do të punosh për të vendosur drejtësi si në ShBA, të pretendosh se veprimtaria jote mbështetet nga ShBA-ja, që janë miku, mbrojtësi e mbështetësi i parë i të drejtës për liri dhe pavarësi të Kosovës, dhe krejt papritur të gjendesh si bashkëpunëtor i prokurorisë serbe, duke mashtruar, përpunuar e krijuar shpifje kundër burrave shqiptarë të luftës çlirimtare të Kosovës, që janë marrë peng në Hagë, ky është turpi më i madh që mund të bëjë një burrë, kushdo qoftë ai!

Dhe, turpi është aq më i madh për aq sa je i dukshëm në sytë e qytetarëve të botës. E zotëri prokurori Smith u duk para gjithë botës si një sahanlëpirës që e turpëroi veten, duke u vënë në shërbim të një institucioni kriminal, siç është prokuroria e Serbisë, e cila burrat që prokurori Smith i ka marrë peng, i ka dënuar me dënim maksimal në vendin e tij dhe me ligjet e tij. Prokurori Smith bëri përpjekje që me ligjet e Serbisë t’i dënojë çlirimtarët shqiptarë, përsëri për arsyen e vetme: se ashtu ka dëshirë padroni i zotëri Smith-it.

U arratis kryeprokurori Jack Smith duke e lënë detyrën që e mori me aq mburrje, vetëm se i doli e vërteta që e damkosi si të shitur, si mashtrues, si abuzues në emër të ligjit, si djallëzor duke u mbështetur te qenia qytetar i ShBA-së, si mbështetës i denoncimit të të pavërtetave, si kundërshqiptar për interesat e tij personale, si akuzues me porosi të Serbisë – armikut dhe masakruesit të shqiptarëve, si paragjykues dhe mashtrues për të dëmtuar shqiptarët me urdhra të punëdhënësit të tij – prokurorisë së Serbisë. I doli boja dhe u bë me turp sepse shiti trupin dhe shpirtin e tij te një institucion gjakësor.

Mund të fitosh shumë pasuri me mënyra të turpshme, siç bëri prokurori Smith, por nuk mund të jesh njeri për të të respektuar njerëzit e thjeshtë, e në këtë çast, ka përfunduar gjithçka nga njerëzia për të cilën është e interesuar shoqëria njerëzore liberale.

Me germa të mëdha mediet shkruanin, “Prokurori amerikan, Jack Smith, është vendosur në postin e kryeprokurorit në Dhomat e Specializuara ku hetohen pretendimet për krime të luftës në Kosovë”! Dhe të gjithë thoshim: Kjo është mrekulli, sepse ne borxh nuk i kemi askujt, u krijua një pretekst për të hetuar luftën çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët e saj për krime lufte, por krime nuk ka, prandaj edhe deshi fati që të vijë një prokuror nga ShBA-ja për t’i hetuar këto të quajtura krime, dhe ai do të bëjë drejtësi. Të gjithë i kanë besuar qenies qytetar i ShBA-së të këtij prokurori, se do të bëjë drejtësi. Por askush nuk ka menduar se ai do të bëjë padrejtësi dhe jo thjeshtë padrejtësi, por padrejtësi të pistë me bashkëpunim kriminal me masakruesin e shqiptarëve. E, të bësh drejtësi me masakruesin e shqiptarëve, për t’i gjykuar ata, se nuk ka mundur t’i zhdukë masakruesi që i ka dënuar me burgime maksimale, por nuk ka arritur t’i zërë për t’i futur në burg, ky është akti më masakrues, që bëhet nga një qytetar amerikan, i cili pasi i del në shesh poshtërsia arratiset nga vendi i punës, për të zënë një punë të pavlefshme, por thjesht vetëm për t’u fshehur diku. Nuk është çudit nëse atë vend pune e ka blerë me paratë që i ka dhënë Serbia për shërbimet që i ka bërë, duke marrë peng burrat luftëtarë të Kosovës!

Amerika ka juristë të zotë me shumicë, zotëri Smith të mos të kujtojë se mendon dikush, se ishte ai më i domosdoshmi për të qenë këshilltar në atë grup pune për të hetuar se ku e si i ka mbajtur dosjet e dokumentet presidenti i ShBA-së. Jo zotëri, ti përfundimisht u bëre me llum dhe llumi prej këtej ka për të të mbuluar gjithë jetën, por për fat të keq, shqiptarëve u shkaktove shumë dëm, duke u rreshtuar me pushtuesin dhe masakruesin e tyre, duke u rreshtuar me Serbinë, që ka bërë krimet më të rënda kundër shqiptarëve, si asnjë pushtues tjetër në botë.

Jam i sigurt se edhe atje ku e kanë dërguar për ta fshehur do ta bëjë ndonjë pisllëk, se këtë portret ka, portret për të prodhuar pisllëqe. Por atje nuk duhet shkuar me mendimin e Hashim Thaçit, që besoi sinqerisht në drejtësinë e tij dhe e la gjithçka në dorë të tij. Atje ka përballë Donald Trump-in që do t’i bëj atë, që nuk do të gjej më vend ku të fshihet.

Prokurori Jack Smith, i cili ishte kryeprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, i cili duke dhënë dorëheqje nga hetimi i akuzave me të cilat ngarkohen udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë marrë në paraburgim, duke ikur pa e filluar gjykimin, kuptohet që iku për të qenë sa më larg krimit të tij. Sepse, duket se ishte gjetur një kriminel për të hetuar një krim të paqenë.

Prokurori i kriminalizuar tashmë i arratisur, Jack Smith, pa e vrarë ndërgjegjja e tij, nëse ka ndërgjegje, nxori nga kasaforta dokumentet sekrete, për të cilat u tha se rrodhën, por që nuk kuptoj si mund të rrjedhin dokumentet nga kasaforta dhe të mos mbaj përgjegjësi askush!? E, ato dokumente që rrodhën u sollën pranë zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë, për të marrë në burg e për t’i dënuar krerët e kësaj organizate, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, dhe pa akuzuar askënd, se si dolën dokumentet dhe si erdhën deri në Prishtinë. Për këtë ky lloj prokurori nuk pati guximin të hetojë kurrë, sepse gjithçka e ka organizuar dhe realizuar vetë, thjesht vetëm për të gjetur një pretekst të arrestonte burrat, që trembej, se mund t’i nxirrte probleme, kur të kryente krimin tjetër të radhës, siç ishte marrja e krerëve të shtetit si të akuzuar në burg.

Që në fillimet e kësaj detyre ky prokuror ka bërë deklarata paragjykuese: Së pari, duke vlerësuar se kjo gjykatë është “mundësia që Kosova t’i lërë pas problemet e luftës”, çka nënkupton se lufta çlirimtare duhet zhvlerësuar, për ta bërë të tejkaluar dhe të panevojshme; Së dyti, duke ngritur akuzën se “ekziston një grup i fuqishëm njerëzish në Kosovë, të cilët nuk e duan ekzistencën e kësaj gjykate dhe të cilët do të bëjnë gjithçka për ta dëmtuar…”, është tregues i papërgjeshmërisë së tij paragjykuese, kur dihet se ata që ai zotëri i akuzon për dëmtim të asaj gjykate janë vetë krijuesit e saj, sepse ajo gjykatë është krijuar me votat e parlamentit të Kosovës; Së treti, duke e deklaruar pa u shqetësuar paragjykimin e dyfishte se, në Kosovës punohet “… për ta shpëtuar idenë e rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime gjatë luftës”, çka tregon se ky zotëri e ka të paracaktuar programin, si disa policë të qarkullimit rrugor, që dalin me paramendim për të vënë gjoba shoferëve në rrugë, apo si disa spiunë të paaftë në kohën e diktaturës në Shqipëri që për të bërë karrierë duhej të zbulonin ndonjë “armik të shtetit”, prandaj edhe ky zotëri deklaron se do ta zbulojë atë që i intereson, si dhe akoma më keq, kur pa filluar akoma puna, deklaron se ideja e pastërtisë së luftës çlirimtare është ide e rreme, një guxim ky që realisht po të kishte drejtësi në atë moment kur paragjykon pa filluar puna, duhej shkarkuar nga detyra; Së katërti, ai duket se i vë kushte e kufizime edhe gjykatës, kur shprehet se “…, çështjet e paraqitura nga zyra që unë drejtoj dhe faktet që do të dalin në dritë nga gjyqet e zhvilluara në këtë sallë nuk do të lënë asnjë dyshim se kjo ide nuk është e vërtetë. Por, kjo ide e rreme është aq e rëndësishme saqë disa udhëheqës të caktuar të UÇK-së do të bëjnë çmos, gjithçka që të pengojnë daljen në dritë të informacioneve që tregojnë se kjo është e vërtetë”, prej ku shihet tendenca për ta diktuar punën e gjykatës, pasi drejtësi, sipas kësaj logjike është gjithçka që dëshiron të arrij ky zotëri; Së pesti, zotëri Smith bën edhe lojë fjalësh, kur deklarohet se zyra e tij “… nuk ngre akuza ndaj UÇK-së as luftës së bërë për pavarësi”, por duke e quajtur këtë ushtri ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Tashti unë nuk di se si mund të veprohet ndryshe për të kriminalizuar UÇK-në dhe luftën e saj për çlirim? Ky zotëri është aq i paskrupullt sa të deklarojë se këto gjyqe nuk janë kundër popullit të Kosovës, sepse “fakti që populli i Kosovës vendosi ta krijojë këtë institucion përbën dëshmi për angazhimin e shtetit ligjor”, pra ai luan edhe me faktin që kjo gjykatë u krijua nga parlamenti i Kosovës dhe u krijua me këmbënguljen e atyre që ai i ka arrestuar pa aktakuzë; Së gjashti, për ta bërë çështjen sa më interesante, këmbëngul që krerët e shtetit të Kosovës të arrestuar të mbahen të burgosur sepse “ekziston rreziku për arratisje, shkatërrim, fshehje, ndryshim provash të një krimi”, dhe e gjithë kjo për të krijuar idenë e rreme se ata burra i ka arrestuar ky zotëri në flagrancë, sikur nuk u paraqitën vetë këta në këtë gjykatë, por ai që e ka mendjen vetë të arratiset, siç u arratis me mandat shtetëror të ShBA-së.

Megjithëse prokurori Smith shkon me mendimin se do të jetë i vlerësuar, pasi ka lënë pas vetes një çorbë derri, që e di mirë se shqiptarët thjeshtë do ta neveritin, se për fat të keq, ne nuk jemi hakmarrës, pasi do të duhej ta ndiqnim edhe atje ku ka vajtur, për ta detyruar me të gjitha mënyrat e kohës moderne, të tregojë të vërtetën pse bëri gjithë ato përpjekje, për t’i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, për të krijuar probleme, që të krijohet mendimi se UÇK-ja nuk ka luftuar me serbët pushtues, por me shqiptarët.

Po kështu, ai e solli çështjen e kësaj gjykate në atë mënyrë që të krijohen përçarje edhe brenda politikës shtetërore në Kosovë. Jam i sigurt se po të kishte bërë një vepër të tillë kundër ShBA-së tani do të ishte në burg, pavarësisht se thirret se ShBA-ja po e vlerëson se i ka ofruar një punë si këshilltar diku. Por kjo nuk ka ndodhur për hatrin a vlerësimin e tij, nëse nuk është vepër e ndonjë të njohurit apo të paguarit të tij. Këtë ShBA-ja e bën se nuk do të vihet në pozicionin e akuzuesit të luftës çlirimtare të Kosovës, të cilën e mbështeti dhe e ndihmon me shpirt e bindje për të drejtën dhe të vërtetën.

Megjithatë, unë kam një bindje se lufta dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës do ta shkundin edhe këtë llum që i lëshoi mbi shpinë zotëri Smith. Prandaj, nuk do të kisha dëshirë të largohej duke u arratisur siç veproi. Do të doja që ai të ishte aty si dështuar, para të vërtetës e të drejtës dhe i akuzuar për çka ka bërë. Por ky zotëri e di përfundimin, prandaj edhe u arratis. Po të kisha diçka në dorë nuk do ta kisha lënë të largohej. Pasi ky zotëri ka ikur, si ndonjë komandant fronti në vijim të operacionit, që i lë trupat në luftim dhe ikën nga sytë këmbët. Dhe këtë e bën se shikon dështimin e operacionit, për të thënë nesër që, po të isha unë aty, ky operacion do të kishte përfunduar me fitore. Kjo është realisht “fitore” e të dështuarit, “fitore” e frikacakut, e të korruptuarit, e të shiturit, e njeriut pa ideale profesionale, e tradhtarit të çështjes që pretendon se i është kushtuar. Kështu veproi me arratisjen e tij prokurori Smith, sepse e pa dështimin dhe duke ikur i lind e drejta të thotë nesër që, po të isha unë aty, përfundimi do të ishte ndryshe.

Dhe përfundimisht, ai dështoi edhe me figurën që bëri përpjekje të ndërtojë, duke vënë gishtin mbi luftëtarët e UÇK-së, për t’u prezantuar si njeriu që i kishte zënë kriminelët, kishte zënë ata që grabitën organe të njerëzve, që vranë si e sa deshën, por që koha tregoi se ai kishte mashtruar. Çfarë do t’u thotë atyre që i trajtoi si viktima, të cilët i la në rrugë pa krye, sepse vendin e tyre e humbën duke shpifur sipas instruksioneve të tij e rrugën për më tej nuk e shohin sepse ai që ishte pishtari i tyre, pra prokurori Smith, u arratis? Më vjen keq për të gjithë ata që u mashtruan e u shtirën si viktima duke akuzuar udhëheqësit e luftës për çlirimin e atdheut tonë.

Kryeprokurori Smith filloi ta përgatisë arratisjen e tij, që kur deklaroi se “në Kosovë ka njerëz që do të bënin gjithçka për ta dëmtuar Gjykatën Speciale”. Ndërsa duhet kuptuar se në Kosovë nuk ka të tillë, por ka nga ata që duan gjykatë drejtësie, jo gjykatë politike, apo mafioze, siç kishte dëshirë ta poziciononte ky prokuror. Në Kosovë janë ata që e ngritën me votën e tyre këtë gjykatë. Ashtu edhe të grabiturit e të mbyllurit në paraburgim në Hagë prej këtij prokurori, e kanë votuar ngritjen e asaj gjykate, sepse janë të bindur se janë të pafajshëm dhe në të drejtën e tyre, pavarësisht se ishin përpara një njollosësi të historisë së shqiptarëve, i cili i tmerruar nga dështimi, u arratis.

Ky prokuror, që shfrytëzoi votën e udhëheqësve të luftës për drejtësi, bëri padrejtësinë më të paprecedentë, duke i dhënë vetes të drejtë të akuzojë dhe të arrestojë këdo që dëshironte. Kështu, prokurori Smith, publikisht e politizoi këtë institucion të drejtësisë dhe në vijim e privatizoi, duke e vënë të punojë sipas dëshirës së tij, për interesat e tij. Koha do të tregojë për këto, por urojë që ai i cili i shkaktoi pa asnjë arsye, një ditë të japë llogari para ligjit si i pandehur.

Ashtu sikurse dihet, se siç ka ndodhur edhe në gjyqet e mëparshme kundër luftëtarëve të UÇK-së të akuzuar për krime, kur të akuzuarit e radhës do të përfundojnë duke u shpallur të pafajshëm, ky zotëri ka për të pretenduar se janë “frikësuar dëshmitarët”, se janë “prishur provat”, se nuk janë studiuar si duhet “dokumentet” etj.

Por ai nuk do ta përmendë kurrë se arrestimin e bëri mbështetur në ato thashethemet e preferuara të tij “trafikimin e organeve” nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Akuza të cilat prokurori Smith, megjithëse e dinte se ishte arritur në përfundimin se nuk ishin të vërteta, nuk i hoqi nga agjenda e tij deri kur arrestoi e futi në burg disa prej udhëheqësve të luftës së UÇK-së.

Dhe, e gjithë kjo për të deklaruar botërisht se edhe shqiptarët kanë bërë krime, aq më keq, krimet të tilla si “trafikimi i organeve”, për të cilat nuk ishte akuzuar as Serbia. Pra, duhej pranuar, sipas prokurorit Smith, se krimet jo vetëm që ishin bërë edhe nga shqiptarët, por luftëtarët e lirisë kishin shkuar edhe më tej duke bërë “trafikim organesh njerëzore”. Kështu që, shqiptarët ishin fajtorë si serbët, e më shumë se serbët. Por, që të mund të fitohej kjo betejë, duhet të vihej në pa se luftëtarët, në radhë të parë dhe më së shumti kanë “vrarë shqiptarë”, të cilët janë etiketuar për përfitime politike. Dhe kjo filozofi veprimi e prokurorit Smith kishte për qëllim, që duke i përçarë shqiptarët ta bënte më të lehtë arrestimin, mbajtjen në burg dhe dënimin e luftëtarëve. Parimi i lashtë “përçaj e sundo” edhe në këtë rast deri ditën e arratisjes funksionoi për prokurorin Smith. E gjithë ngrehina e akuzave u ndërtua mbi bazën e dokumenteve të përgatitura nga prokuroria e Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes, duke i montuar akuzat sipas dëshirës dhe interesit të tyre.

Me gjyqet e deritanishme të zhvilluara kundër luftëtarëve të UÇK-së, është kuptuar qartë se gjykatat ndërkombëtare siç është ajo e Hagës, si dhe gjykatat në vartësi të UNMIK-ut dhe EULEX-it, kanë dështuar. Kështu që, u gjet një e quajtur gjykatë e Kosovës, që pretendon të gjejë mundësi për t’i dënuar udhëheqësit e luftës. Por, edhe kjo gjykatë, që mbështetet në akuzën e ngritur nga një prokuror i arratisur, do të dështojë, prandaj është mirë që ata gjykatës të mos bien në pozitat e prokurorit Smith, nuk dua të detyrohen të arratisen nesër, prandaj i lus të bëjnë drejtësi e të mos bëjnë as politikë dhe as veprimtari mafioze kundërshqiptare për interesat e Serbisë.

Mbajmë në vëmendje se drejtësia duhet të jetë ligjore, sepse në të kundërt kthehet në padrejtësi historike dhe politike – rrugë e cila është filluar me raportin e Dik Martit, për t’i paraqitur shqiptarët si egërsira. Ndërsa veshja me krime politike bëhet për të përçarë mbështetjen ndaj luftëtarëve, pasi ata nuk mund të vepronin si të donin ndaj tyre nëse do të ishin shqiptarët bllok i pathyeshëm pas tyre. Kështu, zotëri Smith, “i suksesshmi”, u bë triumfator në dëm të një kombi, për hatër të politikës kriminale serbe ose i paguar prej saj. Për të krijuar një ide që Serbia paska qenë në hall të madh me këta shqiptarë “kriminelë”, gjë që në opinion ia ka arritur qëllimit me ndihmën e mediave të paguara ose të papërgjegjshme të dhëna pas sensacioneve.

Prandaj, arratisja e prokurorit Smith, duhet, të paktën shqiptarëve, t’u hapë sytë. Institucionet shtetërore duhet ta vlerësojnë historinë dhe të drejtën historike të Kosovës e luftës së saj. Të gjitha institucionet në Kosovës të jenë në nivelin e detyrave të tyre kushtetuese, për të mos lënë që prokurorët si Smith dhe mbështetësit e tyre të hedhin baltë mbi historinë tonë. Duhet përfundimisht t’i dalim zot të vërtetës tonë historike dhe politike, pa pritur që të arratisen smithët e radhës.

Sot në Hagë janë fitimtarët, dhe janë të vetmit fitimtarë në botë të cilët pasi i kanë dhënë lirinë vendit të tyre janë në burg për krime të supozuara.

Arratisja e prokurorit Smith është tregues, se kjo gjykatë nuk do të ketë më tej fuqinë të ndryshoj historinë e shqiptarëve në interes të Serbisë. Kosova e ka mundur dhe zhdukur përfundimisht pushtuesin gjakatar, që bëri masakrat më të egra kundër shqiptarëve. Prandaj, prej këtej askush nuk do të mundet më ta njollosë historinë tonë. Të gjithë smithët do të arratisen, sepse e kemi historinë të kulluar si loti, e kemi luftën të ndritur e heroike.

Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë institucioneve, të gjitha medieve, të gjithë intelektualëve, të gjithë të rinjve, të jen në nivelin kombëtar, të demantojnë me forcë publikisht çdo tentativë që na barazon me serbët në “fajin” që paskemi bërë pse kemi luftuar për liri. Kemi vuajtur mjaft. Kush tenton të na njollos historinë duhet ta ndalim, nëse nuk e ndalim, nuk e meritojmë lirinë. Arratisja e prokurorit Smith është tregues i rëndësishëm se e drejta mund të fitojë edhe kundër organizimeve të interesave të mëdha të armiqve a të interesuarve dhe mbështetësve të tyre.

Prandaj, të bëjmë kujdes, pasi prokurori Smith, duke e ditur se për asnjë nga krimet e supozuara, nuk ka skenë krimi, se për asnjë nga krimet e supozuara nuk do të mbështetet nga provat e mbledhura në mjedisin real të asaj periudhe të luftës, ka krijuar prova të pavërteta, ka krijuar dëshmitarë të rremë, si dhe ka marrë dokumente të përgatitura nga prokuroria e Beogradit dhe institucionet tjera të Serbisë. Pra, çdo akuzë që ka administruar prokurori i arratisur i është dhënë atij nga organet serbe, që janë pikërisht ato organe, institucione e forca të cilat kryen krime të rënda mbi popullin e Kosovës historikisht prej pushtimit të atyre trevave para një shekulli e deri në vitin 1999.

Kështu, theksoj se nuk duhet të biem në kurthin që ka ngritur prokurori i arratisur Smith, por të gjejmë fuqinë t’i tregojmë botës, se agresori dhe masakruesi i shqiptarëve, përkatësisht Serbia, nuk mund të lejohet që ta bëjë viktimën për të dënuar çlirimtarët e shqiptarëve dhe të gjithë Kosovës.

Me këtë nuk them që ne tashmë duhet të fillojmë të luajmë rolin e viktimës. Jo, ne duhet të bëhemi të fortë, për të nxjerrë në shesh të vërtetën dhe të drejtën. Smithi i arratisur dhe smithët e tjerë, mund të kenë dëshirë që të krijojnë një situatë të shqiptarëve duke e mjegulluar periudhën e krimeve serbe mbi shqiptarët, duke mos e parë atë si një dëshmi me vlerë për të bërë drejtësi. Por duke parë se ne që u organizuam të mos i lëmë serbët të na masakrojnë e të na zhdukin, duhet të japim llogari pse nuk u sakrifikuam për dëshirë të pushtuesit e masakruesit. Ne pra qenkemi ata që duhet të dënohemi pse luftuam dhe çliruam vendin tonë. Ky duket se është një mesazh në interes të të gjithë pushtuesve, që të bëjnë masakra, se po u ngritën të pushtuarit për të luftuar të çlirohen, i marrim dhe i futim në burg për krime lufte. Por, a është kjo drejtësi? Duket se jo. A mund të jetë kjo vepër e shoqërive liberale? Jo dhe jo! A mbrohen kështu interesat e pushtuesve dhe masakruesve të popujve? Duket se po, prandaj ne duhet të tregojmë se nuk jemi nga ata që dorëzohemi të na masakrojnë si dele, por jemi nga ata që të gjithë mashtruesit e abuzuesit i detyrojmë të arratisen si prokurori Smith, i cili u vu kundër nesh, që besojmë se ekziston drejtësia dhe mund të bëhet drejtësi.

Kryeprokurori Jack Smith, pati deklaruar se do të merremi vetëm me krime të individëve kundër individëve. Ai deklaroi se “në asnjë mënyrë nuk jemi duke u munduar ta kriminalizojmë luftën për liri të popullit të Kosovës dhe nuk jemi këtu për ta kriminalizuar UÇK-në, sepse ne merremi vetëm me individë përgjegjës për krime”.

Por, çfarë bëri i arratisuri Smith? Nga ndjekje individuale krijoj një “organizatë të përbashkët kriminale” dhe kjo ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duke na e bërë kështu luftën kriminale, na bën edhe lirinë kriminale, na bën edhe shtetin pjellë e krimit dhe kriminalitetit, pra Kosova nuk mund të jetë e lirë e aq më pak të jetë shtet i pavarur. Këtë e instaloi prokurori i arratisur Smith. Por shqiptarët a do të pranojnë të jenë çfarë dëshiron zotëri Smith me serbët e Serbinë? Nëse duhet të pranohet kjo, duhet filluar duke i kërkuar falje Milosheviqit që i paskemi nxjerrë probleme me luftën çlirimtare të Kosovës. Ndërsa, në qoftë se nuk jemi dakord të kërkojmë falje Milosheviqit, duhet të ngrihemi në këmbë e të kërkojmë të drejtën tonë dhe vërtetësinë historike të luftës që kemi bërë.

Kam lexuar një shkrim të dikujt ku thuhej se ju shqiptarët “nuk mund të lejoni që gjykatësit dhe avokatët ta shkruajnë historinë tuaj”. Realisht sot kjo po ndodh. Prandaj, duhet të përfitojmë nga arratisja e prokurorit Smith, për t’u thënë të gjithë atyre që duan të na përbaltin historinë: mjaft!

Ne menduam se bota e civilizuar do të na mirëkuptojë e do të japë drejtësi. Por ja që ka edhe të tillë, si prokurori i arratisur Smith, që nuk e duan drejtësinë, por duan të plotësojnë interesat e tyre dhe të atyre që kanë interesa, duke u arsyetuar se Kosova e ka krijuar vetë këtë gjykatë.

Njëkohësisht, unë nuk dua të besoj se ka të tjerë individë apo organizata e shtete, që të kenë mendësinë e prokurorit të arratisur Smith. Por, kur shikoj se Bashkimi Europian, kushtëzon Kosovën duke e ngarkuar luftën e saj për liri me krime lufte dhe nuk ia thotë asnjë fjalë Serbisë që realisht ka kryer gjenocid në Kosovë, kuptoj se ka edhe në BE që duan të barazojnë kriminalitetin e Serbisë me atë që pretendohet se paska bërë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A ndihet krenar Bashkimi Evropian duke krijuar idenë se Serbia është e pastër pas gjithë gjenocidit të kryer dhe Kosova qenka kriminale, pse luftoi të çlirohej? E pra, pikërisht për të ikur prej kësaj ideje kriminale që ndërtoi, u arratis prokurori Smith.

Por, megjithatë, ne nuk duam hakmarrje, as ndëshkim, duam vetëm drejtësi. Pasi ne e dimë se nuk mund të na kthehen ata qindra mijë shqiptarë të masakruar e të zhdukur për 100 vjet. Nuk mund të na kthehen ata miliona të shpërndarë nëpër botë për të mos u kthyer më kurrë. Prandaj, kush mund të bëjë drejtësi është mik i shqiptarëve, ndërsa kush bën organizime padrejtësie kundër shqiptarëve arratiset një ditë si prokurori Smith. Megjithëse ne e dimë se çfarëdo drejtësie të bëhet nuk mund të kthejë jetën e qindramijë të masakruarve, por të paktën të njihet krimi dhe të mos ngarkohemi padrejtësisht me krim.

Zotëri prokuror Smith, ti bëre mirë që u arratise. Po çfarë duhet bërë me krimin e mashtrimit të tmerrshëm që e le në Hagë? Kjo është çështja!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë përfunduar punën për…