Arrestohen dy policë në veri, të dyshuar në vrasjen e Ivanoviqit

10 shkurt 2018 | 22:29

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar të shtunën  dy të dyshuar duke realizuar edhe dy bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) dhe në konsultim me prokurorinë kompetente.

IPK, në një komunikatë për media, njoftoi se me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, “hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova” të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”. “Sot (10.02.2018) në orët e pasdites, hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut si dhe është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore”, është thënë në njoftimin IPK-së.

Ndërkaq, “Kosovapress” raporton se arrestimi i tyre ka ardhur pasi të njëjtit po janë të dyshuar në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur aktori Reg E. Cathey, i njohur për rolin…