Arrestohen pesë persona të dyshuar për falsifikim të dokumenteve

10 tetor 15:32

Policia e Kosovës me njësitë kompetente për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, pas hetimeve disa mujore më 9 tetor në lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit dhe Prishtinës, ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

“Pesë  personat e dyshuar tani më të arrestuar, duke vepruar në grup në një periudhë kohore, me veprimtari ilegale të shtrirë në disa komuna dhe rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës në këmbim të pagesave në tarifa të ndryshme, kanë siguruar dokumente zyrtare të falsifikuara, diploma të aftësimit profesional, diploma të shkollimit të mesëm e të tjera, për persona të ndryshëm”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Si vazhdimësi e operacionit gjatë bastisjeve të realizuara në rajonin e Prizrenit dhe Prishtinës janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: para, telefona mobilë, kopje të diplomave të profileve të ndryshme, vula, formularë të ndryshëm, forma bllanko të diplomave e të tjera.

Të dyshuarit me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orëve, për procedura të mëtejme ligjore.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit në Novi Sad…