Arrestohet “koka” e vjedhjes në Teqenë e Madhe në Gjakovë, planifikoi gjithçka dhe mori një përqindje

24 qershor 2023 | 14:52

Pas një muaji hetime, Policia ka arritur që të identifikojë edhe një person që dyshohet të jetë i përfshirë në vjedhjen e rëndë në shtëpinë e shehut të Teqesë së Madhe në Gjakovë.

Gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarit janë sekustruar edhe disa dëshmi që provojnë përfshirjen e të dyshuarve, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Urim Thaçin, 38-vjeçar, i cili ka rënë në prangat e Policisë gjatë një aksioni të zhvilluar për prangosjen e tij.

Sipas burimeve, Urimi është nga fshati Kramovik, dhe është ndër besimtarët që e kanë frekuentuar më së shumti Teqenë.

E duke e shfrytëzuar lirinë e të qenit person i “besueshëm” në Teqenë, dhe duke qenë i informuar për çdo lëvizje në çdo cep të vendit, dyshohet se 38-vjeçari ka qenë “koka” e planit operativ për kryerjen e vjedhjes.

38-vjeçari dyshohet se e ka informuar për çdo detaj kryesin e veprës duke i dhënë informatat e nevojshme dhe duke i asistuar me këshilla se si të kryhet vjedhja.

Për krejt këtë “mund”, Urim Thaçi ka marrë një përqindje të të hollave të vjedhura të cilat në total janë 200 mijë eurove.

Po ashtu, dyshohet se në këtë rast, ka qenë i përfshirë bashkë me Xhevat Thaçin me të cilin përveç “punës”, kanë edhe lidhje familjare.

Ndryshe, Policia ka bastisur shtëpinë e Urimit ku kanë sekuestruar dy vetura si dhe nje sasi të konsiderueshme të parave që dyshohet se janë nga vjedhja në shtëpinë e shehut të Teqesë së Madhe në Gjakovë.

Ndaj tij është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe së shpejti pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për të vendosur lidhur me masën e sigurimit të prezencës së tij.

Mësohet se prokuroria do insistoj që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit.

38-vjeçari dhe i dyshuari tjetër, Xhevat Thaçi, që u arrestua më 9 qershor, po dyshohen për vjedhjen e  200 mijë eurove, para të gatshme, të cilat ndodheshin brenda dy kasafortave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eliot Bujupi është afrimi më i ri i Përfaqësueses së…