Arrestohet rreshteri në Pejë, dyshohet se ishte përfshirë në aktivitete të kundërligjshme

04 shkurt 2022 | 20:57

Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor, me gradën e rreshterit nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.

Në njoftimin e Policisë thuhet se Inspektorati Policor i Kosovës rreth një muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një i dyshuar (zyrtar policor me gradën e rreshterit në stacionin policor në Pejë) mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative ndaj zyrtarit policor”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Më tej thuhet se në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.

“Të dyshuarit të arrestuar në këtë rast me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, njofton Policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave…