Arsyeja pse Mourinho ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Gjermanisë
Prania e Jose Mourinhos në finalen e Kupës së Gjermanisë mes Bayern Munichut dhe Stuttgartit ngjalli menjëherë spekulime në mediat europiane.
Fillimisht u raportua se trajneri portugez kishte udhëtuar për të ndjekur nga afër yllin e Bayernit, Michael Olise, në prag të merkatos së verës. Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, arsyeja e pranisë së “The Special One” në stadium nuk kishte lidhje me transferimet apo me ndonjë mision për klubin e tij të ardhshëm. Mourinho ishte i ftuar nga kompania Adidas për arsye marketingu dhe udhëtimi i tij ishte planifikuar prej kohësh.
Kjo vizitë vjen në një moment kur emri i tij po lidhet fuqishëm me një rikthim të mundshëm te Real Madridi, çka bëri që prania e tij në tribunë të interpretohej menjëherë si një lëvizje strategjike.
Trajneri portugez u pa duke ndjekur nga afër triumfin 3-0 të Bayern Munichut ndaj Stuttgartit, por duket se kësaj here gjithçka kishte të bënte me angazhime promocionale dhe jo me plane për merkaton.




