Arsyetimi i ministres për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat e importuar nga Serbia

30 korrik 13:03

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka dalë me një arsyetim në lidhje me vendimin për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.Ajo ka theksuar se e kanë shfuqizuar vendimin pasi  më datë 7 korrik 2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase, e që sipas saj, vendimi i marrë 7 korrik 2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj.“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, ka shkruar ajo në Facebook.

Hajdari i ka quajtur dezinformata raportimet e portaleve për këtë çështje. Për këtë shfuqizim të vendimit sot ka reaguar edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se “mashtrimi i qeverisë po vazhdon”.“Mashtrimi vazhdon! Shet leksione patriotizmi në negociata, e në anën tjetër e heq çdo barrierë që mbron prodhuesit vendor nga prodhimet serbe.  Përpos se nuk aplikon reciprocitetin e premtuar, shfuqizon edhe masat mbrojtëse antidamping për bllokat e Serbisë, përmes të cilëve shteti i Serbisë i ka financuar prodhuesit e saj me qëllim të dëmtimit të prodhuesve vendor të Kosovës. Mjaft mashtrimit!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Më poshtë e gjeni të plotë:

Përgjigja ndaj dezinformatave nga disa portale, lidhur me shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.Bazuar në kërkesën e shoqatës së prodhueseve të materialit ndërtimor me bazë argjilore të datës 16.03.2016, Departamenti i Tregtisë mbrenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte realizuar një hulumtim dhe në koordinim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe bazuar në nenin 48 të Ligjit mbi Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese më datën 07.07.2016 kishte rekomanduar dhe vendosur masën mbrojtëse antidamping prej 0,02€ për bllokat standard 19x19x25 të importuar nga Serbia. Kjo si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut dhe se importi i produkti në fjalë dëmtonte prodhuesit vendor në Kosovë.Mirëpo, pasi që ky vendim i marrë më datë 07.07.2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj, së fundmi Departamenti i Tregtisë duke u bazuar edhe në interpretimin ligjor nga Departamenti Ligjor në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht nenit  46, paragrafi 2 dhe nenit 47 paragrafit 5, 6 dhe 7 të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, dhe pas konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19x19x25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohet. Sipas nenit 46, paragrafi 2, “Çdo detyrim përfundimtar antidamping apo kundërbalancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij” si dhe nenit 47 paragrafit 7 “Masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet.” Prandaj duke marrë parasysh këto, kemi shfuqizuar vendimin sepse më datë 07.07.2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase.Megjithatë, vlen të theksohet se aktualisht Departamenti i Tregtisë është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia dhe së shpejti do të dal me analiza konkrete.Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nertil Jole Që takimi Rama-Vuqiç-Zaev në Shkup do të ngjallte…