As Beogradi, as Moska, as kundërshtarët politikë nuk mund ta ndryshojnë historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

05 mars 2022 | 16:49

Ismail Syla

Ismail Syla, ish-këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Sot, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po prek afër çerekshekullin, ndërkaq bota ka drejtuar sytë dhe ka hapur veshët nga zhvillimet dramatike në Ukrainë, ku po sulmohet me gjakftotësi siberiane një komb dhe një shtet sllav.

Bota demokratike është me Ukrainën. Mundësia për të pasur qasje në atë që po ndodh në Ukrainë kurrë nuk ka qenë më e madhe. 24 orë. Në të gjitha platformat elektronike, prej pamjeve satelitore e deri tek videot nëpër rrjete sociale.

Për ata që kanë përjetuar luftën e Kosovës 1998/99 është i gjallë krahasimi, por në kohë dhe hapësirë tjetër. Megjithatë diçka të përbashkët ka në çdo luftë, në çdo katastrofë humanitare, në çdo përmbytje të jetës normale, kudo që ato  ndodhin.

Me muaj të tërë ushtria ruse e rrethoi Ukrainën. Armatimi që qëndroi në arka dhe gëzhoja filloi të shpërthejë brenda territorit të një shteti me shumë milionë banorë sapo mbaruan Lojërat Olimpike Dimërore në Kinë. Lëvizja që ndodh që me krismën e parë është zhvendosja e popullsisë civile.

Si çdo njeri me zemër, mendje normale dhe ndjenja njerëzore më dhemb fati i qytetarëve ukrainas që braktisin ngrohtësinë shtëpisë dhe ndarjen e pjesëtarëve të familjes. Burrat mbesin në Ukrainë, pleqtë, fëmijët dhe gratë bëhen refugjatë.

E te tema e refugjatëve vlen një krahasim me pikëshikim individual, ashtu si e shoh personalisht. Më kujtohen largimet e familjeve shqiptare brenda në territorin e Kosovës. Në male, nën nejlonë në kushte të rënda.

Më kujtohen daljet në Maqedoni dhe Shqipëri. Poshtërimi nga policia dhe ushtria serbe ishte racist. Popullata e lodhur dhe rraskapitur me aq sa i zinte dora ishte si është më keq. Një popull i shtypur njëqind vjet nga Serbia padyshim që ka pamje të keqe refugjati.

Kur shikon ukrainasit që depërtojnë në Poloni, Hungari dhe Rumani të bie në sy zotnillëku i refugjatit, ku fjala zotnillëk nuk duhet marrë me cinizëm. Ata dalin të veshur mirë, të larë e të qëruar me valixhe solide. Fëmijë të bukur, një racë e bardhë pa asnjë cen.

Polonia dhe Hungaria, këto refuzuese të mëdha ndaj refugjatëve të Lindjes së Mesme, kanë hapur zemrën dhe derën për “refugjatët e bukur”. I hapën dyert për vëllezërit e gjakut sllav. Asgjë kundër këtij solidarizimi, por nuk ke si të mos kesh respekt për shpirtin gjerman, që strehoi mbi një milion sirianë gjatë krizës në Siri.

Kur kamerat e medieve më të fuqishme japin pamje e “refugjatëve të bukur” m’u kujtua Shqipëriae vitit 1997, kur në botë dilnin pamjet me fytyrat më të shëmtuara të shqiptarëve, duke shtënë me kallashnikovë dhe armë të tjera anembanë Shqipërisë. Përzgjedhja e atyre fytyrave nga kameramanët e televizioneve botërore nuk ishte e rastit.

Më kujtohen pamjet e huaja televizive kur paraqitën masakrën e Likoshanit dhe Qirezit të 28 shkurtit 1998, ku pamja përfundonte me shqiptarin e besimit islam, duke bërë “dua” para kungjit të një varri të freskët.  Nje mesazh pa tekst sikur thoshte: Mos t’ju dhimbsen, janë muslimanë.

Kur përcjell zhvillimet në Ukrainë nuk ke si të mos mendosh dhe të bësh krahasime tjera. Është fat për Kosovën që ShBA dhe bota liberal- demokratike e mbështeti në vitin 1999, dhe Koova u çlirua nga pushtimi njëshekullor serb.

E, po ashtu është po aq fat dhe i vërtetë fakti që shqiptarët janë komuniteti më properëndimor në rajon. Ukraina është sot guri i provës sesa i rëndësishëm është fakti i renditjes nga Perëndimi. Renditja e botës së lirë përballë barbarisë, diktaturës, errësirës dhe çmendurisë.

Renditja me Perëndimin është tregues se çfarë padrejtësie ndodh me lidershipin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot mbahet në burgun ndërkombëtar të Hagës. Njerëzit më properëndimor, me proamerikanë të rajonit.

Mbahen në burg njerëzit më duarthatë të mundshëm që bënë luftë çlirimtare me orientim të duhur politik e civilizues dhe jo me automatikë e kallashnikovë të prodhimit kinez etj. Sa për AK-47 Kosova edhe sot do të ishte nën Serbi, sepse në të vërtetë çlirimi i Kosovës erdhi përmes mendjes dhe jo armës. Mendjes liberale, demokratike perëndimore.

Sa absurde dhe sa e padrejtë është mbajtja në burg e lidershipit të UÇK-së, tregon më së miri Putini dhe fuqia e tij ushtarake. Kjo fuqi dhe çmenduri bëri që bota demokratike të bëj be e rr’fe se nuk ka synime sulmuese ndaj Rusisë.

Bëri që bota liberal demokratike të bëj be e rr’fe që nuk do të ndërhyjë me forca  të armatosura në Ukrainë, që nuk do të fluturojë mbi qiellin ukrainas, por do të mbrojë çdo inç vetëm të atyre shteteve që janë anëtare të NATO – s. Kjo natyrë frenuese humane e Perëndimit pa dyshim paraqet vlerë, por a ka mirëkuptim bota e barbarisë aziatike për këtë vlerë?

Jo, aspak. Putini po përpiqet ta zhbëjë një komb, një shtet një hapësirë territoriale. Me arrogancë, me kryeneqësi, me rigjiditetin vulgar të shpirtit carist dhe gjithë trashëgiminë e diktaturës staliniste sovjetike. Shkatërrimi sistematik dhe gjakftohtë i Ukrainës dhe kujdesi që të mos hysh në konflikt me bishën e tërbuar tregon me së miri se pikërisht vlerat e demokracisë dhe skrupujt moralë të shoqërisë perëndimore Putini i merr si dobësi të kësaj bote. Andaj vepron me logjikën e të pafytyrit.

Në kohën kur nuk mund ta ndalosh dhe ta thyesh bishën diktatoriale, del edhe keq në pah qëndrimi i rezervuar ndaj aleatëve, qoftë edhe të vegjël, ndaj popujve lojalë dhe besnikë.

E, nje popull dhe qytetërim i tillë janë shqiptarët e Kosovës.

Me 3 mars në Kuvendin e Kosovës gjithë deputetët e tij e nderuan me një minut heshtje Ukrainën e vrarë, përpos deputetëve serbë. Ata e kthyen përmbys letrën me flamurin e Ukrainës dhe e braktisën sallën. Nga zemra e tyre e nxorën pak Putin. Më 4 mars pati manifestim prorus në Beograd. Rast jashtëzakonisht i izoluar në botë, por mjerisht i pranishëm në Evropën Juglindore.

Ne këtë dritë përcaktimi sa keq që nga bota perëndimore injorohet faza e dytë e shtetndërtimi të Kosovës. Nëse çlirimi dhe pavarësia e Kosovës janë kryevepër e SHBA-së dhe aleatëve të saj, pse të ngecë dhe të dështojë integrimi në NATO dhe në BE? Pse të dështojë pranimi në OKB?

Në dritën e zhvillimeve të luftës në Ukrainë, në situatën kritike që krijoi agresioni ushtarak i Rusisë së Putinit, del edhe më fort në pah paradoksi i mbajtjes në arrest të lidershipit të UÇK-së. Në kohën kur aktivizohet ideja gjithë-nihiliste se kur nuk ka Rusi, çka duhet bota pa të, e kur tërë civilizimi botëror kërcënohet me asgjësim të armëve berthamore, sa absurde është të mbahet nën arrest dhe të trajtohet si kriminel lidershipi i UÇK-së!

Në dritën e zhvillimeve në Ukrainë, pavarësisht çmimit, në fund do të ngadhënjejë e drejta, njerëzorja, demokracia dhe liria. Do të ngadhënjejë synimi liridashës përkundër bishës tiranike.

Në dritën e zhvillimeve në Ukrainë, pa dyshim, do të merr shkëlqim edhe më të madh lufta mbrojtëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në tri ditët e Epopesë së UÇK-së do të kuptohet edhe më mirë se vlera më e lartë kombëtare dhe historike  e shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Lavdinë dhe të vërtetën e UÇK-së nuk mund ta ndryshojë, kontestojë dhe rishkruajë as Beogradi, as Moska as kundërshtarët e saj politikë brenda kombit.

Lavdi Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari!

Lavdi të rënëve për liri!

Liri për çlirimtarët!

Prishtinë, 5 mars 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht se është veçanërisht i zëshëm pas shpërthimit të COVID-19,…