ASK-ja publikon statistikat e arsimit

11 qershor 15:21

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) publikuan “Statistikat e Arsimit, 2020/2021”.

Ky publikim ofron informata statistikore për parashkollorë, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë, arsimin special, si dhe informata statistikore për arsimin universitar për sektorin publik dhe privat.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte 31 179, prej tyre në sektorin publik ishin 24 196 fëmijë, ose 77.6%, ndërsa në sektorin privat ishin 6 983 fëmijë, ose 28.9%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 229 664, prej tyre në sektorin publik ishin 223 869, ose 97.5%, ndërsa në sektorin privat ishin 5 796 nxënës, ose 2.5%. “Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 74 387, prej tyre në sektorin publik ishin 70 742, ose 95.1%, ndërsa në sektorin privat ishin 3 645 nxënës, ose 4.9%. Ndërsa numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin special ishte 307 nxënës. Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 95 335, prej tyre në universitetet publike ishin 54 753 studentë, ose shprehur në përqindje, 57.4%, ndërsa në kolegjet private ishin 40 582 studentë, ose 42.6%”, është thënë në raport.

Sipas ASK-së, vlen të theksohet se në vitin akademik 2020/2021 kanë raportuar të gjitha kolegjet private, gjë kjo ka ndikuar që numri i studentëve të jetë më i madh, krahasuar me vitin paraprak, ku vetëm një pjesë e kolegjeve private i kishin raportuar të dhënat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se nga fillimi i…