ASK-ja: Qeveria në vitin 2022 shpenzoi rreth 1.4 milion euro më shumë se sa arkëtoi

05 maj 2023 | 17:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për llogaritë qeveritare të Kosovës për periudhën 2015-2022. Sipas raportit të ASK-së të hyrat e qeverisë për vitin 2022 ishin 2 miliardë e 622 milionë e 400 mijë euro.

“Gjithsej të hyrat e qeverisë së përgjithshme për vitin 2022 ishin 2 622.4 milionë euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 71 për qind të totalit të të hyrave, tatimet rrjedhëse në të ardhura 15 për qind, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, ka njoftuar ASK-ja.

Vlera e shpenzimeve qeveritare sipas ASK-së ishte 2 miliardë e 623 milionë e 800 mijë euro ose 1.4 milion euro më shumë se sa ka arkëtuar.

“Gjithsej shpenzimet e qeverisë së përgjithshme ishin 2 623.8 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet (25 për qind), kompensimi i punëtorëve (24 për qind), subvencionet (15 për qind), konsumi i ndërmjetëm (14 për qind), ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, ka njoftuar ASK-ja.

Ky raport është thënë se është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deklaratën e miratuar kohëve të fundit nga Komuna e Zetës…