Asociacioni për integrim apo rivendosje të paralelizmave në veri?

01 prill 2018 | 13:54

Pesë vjet që nga arritja e Marrëveshjes së parë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një prej pikave kryesore, Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë betejën politike nëse ky asociacion do të jetë një organizatë joqeveritare apo një autonomi substanciale.

Qëndrimi i Prishtinës zyrtare është i qartë, Asociacion i komunave serbe pa kompetenca ekzekutive. Por, Beogradi me mbështetjen e përfaqësuesve serb në Kosovë mëton që të krijojë një Bashkësi komunash serbe që do të ishte një lloj niveli i tretë i pushtetit.

Pavarësisht dallimeve, Bashkimi Evropian si lehtësues i bisedimeve kërkon që të nisin procedurat e themelimit, konform Marrëveshjes së Brukselit.

Fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ende mbetet në pritje të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se Ekipi Menaxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt do të funksionalizohet, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet, është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumetnike.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga dhjetë komunat me shumicë serbe, kanë dhënë një lloj ultimatumi për drejtuesit e Qeverisë së Kosovës se nëse nuk e formojnë Asociacionin e komunave deri më 20 prill, ata vetë do ta themelojnë njëanshëm atë.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet nga autoritetet e Kosovës dhe çdo tendencë tjetër për formimin e tij do të mbetet ilegale dhe pa kurrfarë rëndësie.

Ajo ka theksuar se vetë shteti serb është ai që po e pengon fillimin e punës për themelimin e Asociacionit.

“Kosova ka provuar disa herë që të nis hartimin e statutit për Asociacionin në pajtim me ligjet e Kosovës, Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse këto i parasheh edhe vetë marrëveshja e Brukselit, por sa herë që ne kemi provuar, Serbia vazhdimisht ka bërë disa destruksione për ta penguar këtë proces”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka thënë se veprimet si ai i vendosjes së një murit dikur të ura e lumit Ibër, tendenca për futjen e një treni pa leje në Kosovë dhe së fundi edhe hyrjet ilegale të zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës, janë disa nga veprimet destruktive të Serbisë, po e pengojnë formimin e Asociacionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fshatin Drelaj të Komunës së Pejës është gjetur pa…