Át Gjergj Fishta e Dom Ják Zekaj: Ku asht vështirësia këtu?

06 nëntor 2022 | 08:15

Bisedë shpotitëse mes dy poetëve zadrimorë

Dom Ják Zekaj, i lémë në Baqël të Zadrimës, kje njeri i letrave e kishte shum miqësí me poetin kombtár Át Gjergj Fishta. Patër Fishta e mbate afër meshtarin e rí, jo vetëm se ishin prej nji krahine (fshati Baqël asht shum afër në vijë ajrore me fshatin Fishtë), por edhé pse ai e çmote intelektin e talentin e Dom Jakut. Vite mâ vonë mes dy fiseve do të lidhej edhé miqësí martesore.

Herë mbas here ata bisedoshin bashkë mbi tematika prej mâ të ndryshmeve, kur s’mund të bâte përjashtim as letërsia. Në nji prej herëve Át Gjergj Fishta e pvetë me shpotí Dom Jakun:

– A hjekë keq o Dom Ják me shkrue?

– Në fillim boll o Patër Gjergj, po tashti ia kam mârrë dorën e po e kam mâ të lehtë.

– Po ti – i thotë Dom Jaku – a ke v’shtirësí kur shkruen?

– Për t’drejtë t’Zotit, sikur ditën e parë, njisoj – gjegjet Patër Gjergji.

– Jo he burrë – ia kthen Dom Jaku – se s’po e ke hiç zor. Qe për shêmbull, ndigio sa lehtë i ke xjerrë këto vargje:

“Edhé unë Frati, tham t’vërteten

Bashkë me turq (muslimanë) bâj flie vehten:
Varem m’krrabë, lidhem m’vargoj
E Shqipninë unë nuk e lshoj.

Ku asht v’shtirësia këtu? – e ngacmon Dom Jaku.

– Po për me t’u dukë t’lehta ty mor i dashtun Dom Ják, hjeki keq unë me i krijue! – ja kthen me të qeshun Patër Gjergji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Patrioti dhe intelektuali shqiptar, Mit’hat Frashëri, kishte shkruar një studim…