ATK-ja lanson tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues

14 dhjetor 2023 | 16:07

Në një ngjarje të organizuar Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, janë lansuar tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues (II) udhëzuesi interaktiv tatimor, (II) kalkulatorët tatimor, si dhe (III) sistemi për denoncimin e parregullsive tatimore.

Këto shërbime elektronike do t’u ndihmojnë tatimpaguesve që të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësimin e obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.

Në këtë ngjarje mori pjesë zv/ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, i cili u shpreh shumë i kënaqur me shërbimet e ofruara për tatimpagues deri më tani.

Ai shtoi se tri shërbimet e reja do të mundësojnë përfshirjen e sa më shumë tatimpaguesve nën ombrellën e sistemit tatimor.

Gjatë fjalimit të tij, zv/drejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, vlerësoi mbështetjen e dhënë nga USAID në ngritjen e kapaciteteve të ATK-së, që nga themelimi i këtij institucioni.

Murtezaj theksoi se përkundër vështirësive, ATK-ja vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rris kualitetin dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve për tatimpagues.

Ai gjithashtu potencoi se ATK kujdeset që edhe siguria e tatimpaguesve të jetë në nivel, derisa shtoi se si institucion po bëjnë përpjekje të ulin kostot e administrimit tatimor, duke rritur efikasitetin e brendshëm përmes automatizimit të proceseve të punës.

Ndërkaq, sa i përket lansimit të tri shërbimeve të reja për tatimpagues, ai tha se të njëjtat do të ndikojnë në rritjen e mbledhjes së të hyrave tatimore për buxhetin e Kosovës, në mënyrë më efikase dhe transparente.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID Kosovë, Alexander Albertine, gjatë fjalimit të tij tha se konsistenca e ATK-së në përmirësimin e shërbimeve për tatimpagues është shumë inkurajuese.

Ai gjithashtu tha se USAID ka pasur kënaqësinë të jetë përkrah ATK-së në rrugën drejt përvetësimit të digjitalizimit, dhe përmirësimit të integritetit institucional të saj.

Gjatë kësaj ngjarje, përmes një paneli të diskutimit u fol edhe për transformimin digjital të ATK-së në përgjithësi, me theks të veçantë në ndikimin potencial të shërbimeve të reja elektronike për qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barazimi 1-1, në “Signal Iduna Park ndaj Paris Saint-Germain u…