ATK-ja promovon të dhënat e hapura, Murtezaj thotë se po rrisin transparencën dhe llogaridhënien

04 gusht 2023 | 15:31

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur tryezën e diskutimit lidhur me promovimin e të dhënave të hapura, të publikuara në ueb-faqen e ATK-së.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se diskutimi në fjalë ka për qëllim të shërbejë si platformë për eksplorim të grupeve dhe të dhënave për të ilustruar se si këto të dhëna mund të përdoren për t’i kuptuar më mirë trendet e ekonomisë në Kosovë, por edhe për të informuar politikat e ekonomisë në të ardhmen.

Madje sipas tij, hapja e të dhënave është çelës për çdo institucion dhe organizatë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Murtezaj ka shtuar se çdoherë, ATK-ja ka qenë e fokusuar që përmes planeve strategjike ta bëjë rritjen e mekanizmave, të cilat qojnë përpara integritetin e institucionit.

Sipas tij, iniciativa për hapjen e të dhënave kontribuon direkt në zhvillimin demokratik të një institucioni, si dhe zhvillimin e një segmenti ekonomike në nivel inovativ.

“Për mua është kënaqësi të ju informoj se ATK-ja është në vazhdën e shumë reformave që është duke e bërë. Është duke punuar edhe në rritje të integritetit si dhe rritjen e transparencës. Ky është një hap tjetër drejt transparencës. Qëllimi është rritja e transparencës. Shkasi i kësaj iniciative është zbatimi i planit  për përmirësimin e integritetit të institucionit të ATK, dhe nga kërkesat e organizatave.ATK-ja deri tani ka hapur katër ‘data asete’ që kanë të bëjnë më hyrjen dhe qarkullimin. Kësaj ‘open date’ janë shtuar edhe gjashtë asete të reja dhe në total kemi 10 asete. Në këto asete kemi të bëjmë me deklarimin e numrit të punëtorëve, pagesat, rimburismet, etj.”, ka thënë Murtezaj.

Ndërsa Dardane Peja, përfaqësuese e zyrtarit kontraktues në USAID, ka thënë se do të vazhdojnë ta mbështesin ATK-në edhe në të ardhmen, raporton “EO”.

Në anën tjetër, Nora Kokaj, zëvendësdrejtore e programit për qeverisje ekonomike në USAID, ka prezantuar para të pranishmeve qëllimin e këtyre të dhënave të hapura. Ajo ka thënë se ATK-ja është duke mbajtur hapin me shtetet e tjera të zhvilluara. “Të dhënat e hapura janë në treg në rritje edhe në vendet e zhvilluara. ATK-ja është duke e mbajtur hapin me shtetet e tjera të zhvilluara. Shumë të dhëna mbi trendet ekonomike publikohen me vonesa. Këto janë të dhëna administrative, ato nuk zëvendësohen me statistikat zyrtarë që publikohen nga agjencitë statistikore. Ato janë të hapura janë të qasshme ligjërisht dhe teknikisht”,  ka thënë Kokaj. Ky organizim është mbështetur nga programi i USAID për qeverisje ekonomike në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja Rozeta Hajdari, pak më parë, njoftoi se e ka…