Auditimi, Spanca: Gjendje e rënduar vazhdon të jetë në ndërmarrjet publike

18 tetor 2021 | 16:12

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Hykmete Bajrami, kryetare, ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, në të cilën të pranishëm ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së, Vlora Spanca.

Në prezantimin e raportit vjetor të auditimit për vitin 2020, Auditorja Spanca ka shpalosur të gjeturat e këtij raporti, i cili brenda vetes ngërthen 90 raporte, 12 auditime publike, si dhe 11 auditime të performancës.

Spanca ka theksuar se sa u përket të gjeturave, gjendje më e rënduar është dhe vazhdon të jetë në ndërmarrjet publike.

Më pas, kryetarja e komisionit, Bajrami ka adresuar disa nga çështjet të cilat ajo i konsideron si më problematike, ndër të cilat ishin edhe moszbatimi i platformës E-Pasuria, si dhe nevojën imediate për rishikimin e pasqyrave financiare.

Në vazhdim, ministri Murati pasi u përgjigj në pyetjet e parashtruara nga anëtarët e komisionit, ka theksuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur një plan me 38 rekomandime, të cilat ndërlidhen me llogaridhënien dhe transparencën.

Në pyetjen lidhur me projektin e rrugës Kijevë-Sahaq, ministri Murati ka thënë se gjatë implementimit të këtij projekti kanë hasur në keqpërdorime të shumta sa i përket shpronësimit dhe se tani është duke u punuar intensivisht në rishikim të projektit në fjalë.

Mbledhja u mbyll me dakordimin që deri më 20 tetor, anëtarët e komisionit t’i dërgojnë rekomandimet e tyre të dala nga shqyrtimi i raportit vjetor 2020, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të bëhet miratimi final i tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se deri më tani…