“Auto Mita” shpërblehet me kontratë 1.2 milionë € për 387 vetura të përdorura

24 nëntor 2023 | 09:38

Zyrtarët e shtetit të Kosovës do t’i kenë në dispozicion një vjeçar veturat e markave “Dacia” dhe “Renault” për shfrytëzimin e të cilave nga buxheti i vendit do t’i paguhen 1.2 milionë euro kompanisë “Auto Mita”, raporton portali Front Online.

Në bazë të dokumenteve (kontratave) që ka siguruar “Front Online” dëshmohet se për veturat “Dacia Sandero” e prodhuar në vitin 2017, shteti i Kosovës kësaj kompanie do t’i paguaj qira vjetore prej 2400 euro, ndonëse çmimi i kësaj veture në tregun vendor sillet nga 5-6 mijë euro, bazuar në çmimin në platformën online të shitblerjeve “merrjep”.

Edhe më shtrenjtë se veturat e prodhuesit rumun, për një veturë të prodhuesit francez “Renault Megane” kompanisë “AutoMita” do t’i paguhen 3600 euro në vit.

Sipas kontratës të nënshkruar në mes të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Institucion ky i cili zhvillon prokurime të centralizuara dhe kompanisë “Auto Mita”, bëhet fjalë për qiramarrje të 387 veturave, prej të cilaave 163 janë të markës “Dacia Sandero”, deri sa 224 janë “Renault Megane”.

Këto vetura, të cilat shteti i ka marrë me qira edhe për një vit nga kompania “Auto Mita” janë shfrytëzuar nga Institucionet e Kosovës gjatë 4 viteve të fundit. Por, pavarësisht amortizimit të tyre vlera e qirasë që në atë kohë e kanë marrë Institucionet me vlerën aktuale të qirasë është më e ulët për vetëm 50 euro.

Front Online i ka dërguar pyetje kompanisë “Auto Mita” për të marrë më shumë informacione rreth gjendjes teknike të veturave dhe çmimeve të kontraktuara për shfrytëzim, por as pas dy ditë pritje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi, Besa Famgas, dhe lideri i klasifikimit, Rahoveci,…