AUV-i, apel operatorëve ekonomikë dhe qytetarëve: Respektoni rregullat për ruajtjen e ushqimit gjatë verës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime, në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, që të respektojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve gjatë sezonit veror.
Apeli përfshin të gjitha bizneset që kanë kontakt me ushqimin, duke nisur nga prodhimi, përpunimi, ruajtja, transporti, deponimi dhe shpërndarja, deri te tregtimi. Po ashtu, ai vlen edhe për sektorin e gastronomisë, përfshirë restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe subjektet e tjera ushqimore.
Sipas AUV-it, rritja e temperaturave gjatë verës shton rrezikun e prishjes së produkteve ushqimore, ndaj është e domosdoshme që ato të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, të kontrollohen rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të zbatohen masat e vetëkontrollit.
“Me rritjen e temperaturave gjatë sezonit veror, është thelbësore që produktet ushqimore të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, të kontrollohen rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të zbatohen me përpikëri masat e vetëkontrollit”, ka njoftuar AUV-i.
Agjencia u ka bërë apel edhe qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore, transportimit të tyre deri në shtëpi dhe ruajtjes në kushte të përshtatshme deri në momentin e konsumimit. Sipas saj, çdo produkt që kërkon kushte të veçanta ruajtjeje i ka të përcaktuara temperaturat përkatëse në etiketë.
AUV-i ka theksuar se produktet me prejardhje shtazore janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, por kujdes duhet treguar edhe për produktet e tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të caktuara, pasi jetëgjatësia e tyre varet drejtpërdrejt nga kushtet e ruajtjes.
“Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë helmimet ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve”, ka theksuar AUV-i.
Agjencia ka bërë me dije se gjatë muajve të verës do të intensifikojë kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Asnjë shkelje nuk do të tolerohet”, ka paralajmëruar AUV-i, duke bërë të ditur se inspektimet do të shtohen gjatë gjithë sezonit veror.



