Avdyli, ‘Ylli i javës’ në Superligën e futboll

09 tetor 2023 | 11:29

Portierit të Llapit, Ilir Avdyli i ka takuar çmimi “Ylli i javës” për javën e 9-tw, i cili ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Bujar Guta, Luan Tabaku, Arton Hajdari.

Ky komision vendosi që portieri i KF Llapi, Ilir Avdyli të shpallet “Ylli i Javës” sepse gjatë gjithë lojës ishte në nivelin e detyrës e po ashtu kur skuadra e tij ishte me një lojtar më pak e mbrojti penalltinë dhe ishte më meritori që Llapi mori 3 pikë të plota.

Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e KF Llapi, Ilir Avdyli e ndau Benjamin Geci, menaxher marketingu në Albi Mall. Pasi mori këtë çmim portieri i Llapit u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme dhe të vështirë, për faktin se në një periudhë të madhe të lojës luajti me një lojtar më pak, e madje disa minuta edhe me dy lojtarë më pak.

“Jam shumë i lumtur që jam shpallur më i miri i xhiros së 9-të, sidomos në një ndeshje kaq të luftuar siç ishte kjo me Lirinë. Është gjithmonë kënaqësi të arrish të mbrosh një penallti e ta ndihmosh ekipin me 3 pikët e radhës. Aktualisht pas përmbylljes e fazës së parë, Llapi gjendet në pozitën e dytë me vetëm një pikë pas Ballkanit dhe besoj që me punën që po bëjmë jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivat tona. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për punën që po e bëjmë bashkërisht”, ka thënë Avdyli për faqen zyrtare të FFK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet e naftës janë rritur për shkak të situatës në…