Avokati i Isni Kilajt: Ministria e Drejtësisë ua ktheu shpinën veteranëve në Hagë

11 mars 2024 | 08:17

Avokati i Isni Kilajt, Iain Edwards, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ua ka kthyer shpinën ish-krerëve e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët që disa vjet janë në paraburgim në Hagë.

Edwards nuk është aspak i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

“Ajo përkrahje tashmë është zhdukur. Ministria e Drejtësisë tani qartazi nuk përkujdeset për këta veteranë të cilët janë në paraburgim në Hagë. Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme që t’i mbështesë ata,” tha Iain Edwards – avokat i Isni Kilaj.

Pakënaqësitë e Edwardsit ndërlidhen me udhëzimin e ri administrativ të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka ulur drastikisht pagesat për avokatët e angazhuar në Speciale.

Për rastin e Kilajt, avokatit Edwards i janë ofruar vetëm një mijë euro pagesë.

“Për mua nuk do të ishte problem që të punoja për një mijë euro në muaj. Mirëpo problemi është që unë kam nevojë që të ndërtoj një ekip, duhet të krijoj një sistem, duhet të angazhoj hetues, duhet të angazhoj juristë të tjerë me të cilët duhet të bashkëpunoj. Kështu që një mijë euro në muaj është shokuese, është e turpshme. Unë do t’i bëja thirrje ministrisë së drejtësisë që të tërhiqet nga ky vendim i padrejtë dhe ta rikthejë skemën e vjetër,” shtoi Iain Edwards.

“Për vepra penale të ngjashme, e kemi parë që Gucati dhe Haradinaj janë dënuar me më shumë se katër vite burgim. Aktkauzat kundër administrimit të drejtësisë nuk janë rastet më serioze të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mirëpo prapë se prapë të vështira, komplekse dhe raste serioze. Nuk mund ta pranoj këtë arsyetim të qeverisë. Qeveria po ua kthen shpinën këtyre veteranëve,” u shpreh avokati i Isni Kilaj.

Shuma maksimale që ministria ka vendosur të paguaj për mbrojtjen e një të akuzuari nga Specialja, është 120 mijë euro në muaj.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se lartësia e pagesave përcaktohet nga disa rrethana, si natyra e akuzave, pozita e pretenduar e të dyshuarit ose të akuzuarit në hierarkinë politike ose ushtarake, si dhe numri i dëshmitarëve.

“Rasti i z. Isni Kilajt është akoma në fazën paraprake, Prokurori i Specializuar ende nuk ka ngritur aktakuzë në këtë çështje. Duke u bazuar në të lartcekurat Komisioni ka vendosur që për fazën e procedurës paraprake të i propozoj mbrojtjes shumën prej 1,000.00 euro. Tarifat për shpenzimet e mbrojtjes, në Udhëzimi Administrativ janë të përcaktuar në konsultim me ekspertë dhe janë në interesin e Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë. /TVDukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendi të…