Avokati i Thaçit e përballë ish-zyrtaren e OSBE-së me faktet e “Panda”-s, ajo pranon se raporti i saj mund të kishte pasaktësi

07 dhjetor 2023 | 13:54

Inskenimi i vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në një kafene në Pejë, i njohur si rasti “Panda” është diskutuar dje edhe në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjatë dëshmisë së ish-zyrtares së OSBE-së, Sandra Mitchell.

Për vrasjen e të rinjve serbë atë kohë ishin akuzuar shqiptarët. Lidhur me këtë, Mitchell është marrë në pyetje nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe.

Për rastin “Panda” në Pejë, i cili ka ndodhur më 14 dhjetor 1998, Keohe e ka pyetur dëshmitaren nëse e dinte se operacioni me vrasje në “Panda” ishte një operacion i rrejshëm me motivin që ky krim t’i atribuohet UÇK-së, mirëpo përgjigja e Mitchell nuk është dëgjuar.

“Ka të bëjë me vrasjen e civilëve serbë me një numër të viktimave të paidentifikuara që në fakt duken vrasje të pashpjegueshme. Ekziston dyshim se forcat e UÇK-së vranë jo vetëm shqiptarë të Kosovës të moderuar, por gjithashtu edhe serbë, duheshin nga të dy komunitete. Incidenti në veçanti tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve më 14 dhjetor. Kryerës të paidentifikuar kryen vrasjen e 6 serbëve të rinj të Kosovës në kafenenë ‘Panda’ në Pejë”, ka lexuar raportin e OSBE-së Keohe, ndërsa dëshmitarja Mitchell ka thënë se i kujtohet si incident.

Duke iu referuar raportit të OSBE-së, Keohe, ka thënë se aty përmenden motive të hakmarrjes nga ana e shqiptarëve të Kosovës lidhur me vrasjen e 30 anëtarëve të UÇK-së.

“Këto ishin vetëm pretendime, por pretendime të mirëbazuara që kërkonin hetim të mëtejshëm”, ka thënë Mitchell.

Keohe ia ka kujtuar dëshmitares edhe deklaratën e politikanit serb, Vuk Drashkoviq, i cili i kishte thënë një gazete serbe se autoritetet e Serbisë me urdhër të Sllobodan Millosheviqit e kanë orkestruar këtë operacion.

“Ai i ka thënë një gazete serbe se RBB-ja e udhëhequr nga Rade Markoviqi e ka orkestruar këtë masakër nëpërmjet udhëheqësit paramilitar Millorad Ulemek dhe me urdhër të Sllobodan Millosheviqit, a e dini këtë?”, ka thënë Keohe.

Dëshmitarja Mitchell ka mohuar të ketë njohuri për një gjë të tillë.

Po ashtu, Mitchell ka mohuar të ketë pasur njohuri që qëllimi i këtij incidenti ishte që UÇK-ja të portretizohet si organizatë terroriste para komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa, për artikullin që i është prezantuar, ajo ka thënë se nuk e ka parë më herët, raporton “Demokracia”.

Avokati Keohe ka kërkuar që ky dokument të pranohet si provë materiale, por që është kundërshtuar nga prokurorja Deborah Mayer, me arsyetimin se dëshmitarja nuk kishte njohuri për këtë dokument. Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka kërkuar që vetëm të identifikohet si dokument për t’u vendosur më vonë.

Pas kësaj, dëshmitares i është prezantuar edhe një dokument tjetër nga “Balkan Insight”, i vitit 2018 lidhur me rastin “Panda” në Pejë.

“Aty citohet se Valdimir Vuçiqeviq është një prokuror për krime lufte i Serbisë që: nuk ka pasur shqiptar në atë kohë dhe i gjithë operacioni u krye me synimin e atribuimit të palës tjetër, a e dini këtë fakt se vrasja në kafenë ‘Panda’ ishin me një operacion të tillë, me synimin e atribuimit të fajit UÇK-së”, ka thënë Keohe.

Ndërsa, dëshmitarja ka thënë se nuk ka njohuri.

Megjithatë, sa i takon raportit të saj lidhur me këtë ngjarje, dëshmitarja ka thënë se nëse informacionet në artikuj janë të vërtetë, atëherë konkludimi që ka nxjerrë del i pasaktë.

Përballjen e Keohes me Mitchel për rastin “Panda” mund ta ndiqni nga 2:12:00-2:26:00:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës është…