Avokati serb: Serbia s’ka bazë ligjore për mbajtjen e policëve

16 qershor 2023 | 12:07

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, i cili më herët ka njoftuar se policët e rrëmbyer nga Serbia ndodhen në Kralevë ku po zhvillohet seanca ndaj tyre, ka thënë se ata duhet të lirohen meqë nuk ka asnjë bazë ligjore për ndalimin e tyre.

Përmes një postimi në “Twitter”, Stojkoviq ka thënë se nëse ata nuk lirohen, Serbia e shkel marrëveshjen e Brukselit.

“Policët e Kosovës duhet të lirohen. Nuk ka asnjë bazë reale ligjore për ndalimin e tyre. Nëse nuk lirohen, kjo do të thotë se Serbia po shkel marrëveshjen e Brukselit, por edhe se nuk ka ndërmend paqen me Kosovën”, ka shkruar Stojkoviq.

Avokati serb, i cili e përshkruan veten si pro perëndimor, ka thënë se sipas “marrëveshjes së Brukselit, Serbia e trajton Policinë e Kosovës si forcë të armatosur legale. Prandaj, nëse pjesëtari i asaj policie gjendet me armë në territorin e Serbisë pa i shkelur ligjet tjera, ai nuk mund të arrestohet, sepse statusi i tij për Serbinë është po aq i ligjshëm sa statusi i policisë së Republikës së Serbisë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se zgjidhja e…